Polici që u arrestua për vrasjen në kazino, kishte marrë mirënjohje nga shteti

Aktuale

Polici që u arrestua për vrasjen në kazino, kishte marrë mirënjohje nga shteti

Më: 17 mars 2019 Në ora: 20:09
Foto ilustrim

Polici Shefki Spahiu, që po dyshohet se vrau të riun Jetmir Aliaj në vendin e tij të punës, në dhjetor të vitit 2016-të, kishte marrë një mirënjohje për gjoja ‘të arriturat’ në punën e tij në Polici në atëkohë nga drejtori i përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni.

Mirënjohja atij i ishte ndarë në ceremoninë vjetore, që organizohet nga Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Aty dekorohen dhe falënderohen me mirënjohje pjesëtarët e policisë të cilët kanë shënuar arritje në punën e tyre përgjatë një viti.

E kështu, përveç ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë, për t’ia ndarë mirënjohjen Spahiut, i pranishëm kishte qenë dhe ish-Ministri i Brendshëm Skënder Hyseni e Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi.

Fotografinë me këtë të fundit, në rrjete sociale, e kishte shpërndarë një familjare e policit Shefki Spahiu, e që tregonte se ishte krenare me xhaxhanë e saj.

E tre vite pas, rreshteri policorë Shefki Spahiu po dyshohet se kreu një vrasje në një kazino në Suharekë. I njëjti, dyshohet se kishte qenë pjesë e një grupi plaçkitësish që mëngjesin e të dielës hynë në lokalin në fjalë dhe më pas qëlluan për vdekje të riun, Jetmir Aliaj – punonjës i kazinos, pasi arriti ta identifikonte policin plaçkitës.

Spahiu u arrestua pak orë pas rastit dhe ndodhet në ndalim policor, deri në caktimin e ndonjë mase tjetër të sigurisë, nga gjykata.

“Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot pas orës 12:00 të dyshuarin Sh. S (zyrtar policor me gradën e rreshterit) me dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në këtë rast. Me urdhëresë të prokurorisë, hetuesit e IPK-së së bashku me zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë realizuar një bastisje në banesën e të dyshuarit në Suharekë dhe në një shtëpi banimi”, ka njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës.

Image

Gjatë bastisjes së shtëpisë dhe banesës së tij, sipas njoftimit janë konfiskuar edhe një armë e tipit “Glock 9×19”, dy karikatorë si dhe disa fishekë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat