Kurti kërkon nga faktori ndërkombëtarë të bëjë trysni ndaj Beogradit për të pagjeturit

Aktuale

Kurti kërkon nga faktori ndërkombëtarë të bëjë trysni ndaj Beogradit për të pagjeturit

Më: 2 prill 2019 Në ora: 13:57
Foto ilustrim

Demonstratat e vitit 1981 edhe sot po konsiderohen si kthesë për historinë e re të Kosovës, ndërsa familjarët e dëshmorëve po kërkojnë që udhëheqësit vendor të punojnë më shumë për vendin.

Kështu u tha me rastin e 38-vjetorit të rënies në demonstratat e vitit 1981 të dëshmorëve Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva,  ku sot familjarë, organizatorë e pjesëmarrës së këtyre demonstratave kanë bërë homazhe tek pllaka përkujtimore që ndodhet afër ndërtesës së Qeverisë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se vetëdija e Asllan Pirevës dhe Naser Hajirizit ishte e lartë sepse në atë kohë kërkoni Kushtetutë e Republikë të Kosovës.

Demonstratat e 81-tës, i pari i Vetëvendosjes i ka konsideruar si vazhdimësi të demonstratave tjera përmes të cilave u kundërshtua përndjekja e popullit shqiptar  nga regjimi serb.

Kurti tha se faktori ndërkombëtar duhet të bëjë trysni mbi Beogradin që të jap përgjegjësi për të pagjeturit në Kosovë.

Kurti: Faktori ndërkombëtar ta shtoj trysnin ndaj Beogradit për të pagjeturit

“Unë besoj se tek e vërteta arrihet nëpërmjet përgjegjësisë, duhet të kërkojmë përgjegjësi nga Serbia dhe nga faktorët ndërkombëtar që ta shtojnë trysnin ndaj Beogradit në mënyrë që nëpërmjet përgjegjësisë së Serbisë të arrijmë tek e vërteta për më të dashurit tanë. Është evidente që ata që e kanë kryer krimin janë tërhequr nga vendi i krimit dhe atje ku kanë shkuar aty ndodhen edhe arkivat për atë se çfarë ndodhi shqiptarët të cilët u vranë, u varrosën, u zhvarrosën dhe sot janë të pagjetur e për fatin e tyre nuk dinë as populli, as institucionet”, tha Kurti.

Me dhimbje të madhe humbjen e vëllaut të saj e kujton edhe motra e Naser Hajrizi, Sadija e cila derisa shprehet deri diku e kënaqur me punën që po bëhen për të ardhmen e Kosovës.

Ajo tha se çdo përvjetor i rënies së vëllaut të saj është i njëjtë për ta.

Hajrizi: Çdo përvjetor është i njëjtë për ne

“Çdo përvjetor që vjen është i njëjtë, në çdo përvjetor janë ndjenjat e njëjta, por për sa jemi të kënaqur të kënaqur deri diku...Kemi kërkesa si krejt populli”, u shpreh motra e Naserit.

Kurse, Metije Pireva motra e të ndjerit Asllanit si ditë shumë të rëndë e kujton momentin kur e kishte marr vesh për vrasjen e vëlluat të saj Asllanit.

Ajo thotë se liria që sot e gëzojmë vetëm emrin e ka liri, pasi që shumë njerëzit po vazhdojnë të jetojnë keq, dhe po ashtu rinia po ikën nga vendi.

Pireva:  Shpresojmë më tutje bëhet më mirë

“Ditë e rëndë është...Për këta dëshmor ishalla më tutje bëhet mirë tani është mirë por duhet me qenë ende më mirë se shumë po vuajnë njerëzit, po hjekin hallku, rinia na shkoj nuk është kjo liri që me thënë vetëm emrin e ka liri sen tjetër nuk ka”, tha Pireva.

Si kthesë për historinë e Kosovës demonstratat e vitit 1981 i konsideron njëri nga pjesëmarrësit e këtyre lëvizjeve popullore, Mehmet Hajrizi.

Ai teksa kujton se si ndodhi vrasja e nipit të tij Naser Hajrizit dhe dëshmorit tjetër Asllan Pireva thotë se nisma e këtyre demonstratave iu parapriu lëvizjeve të tjera kombëtare që sollën pavarësinë e vendit.

Hajrizi:  Demonstratat e 81-shit kthesë historike 

“ Organizimi i Lëvizjes Kombëtare të Kosovës kurse, pasthënia e 81-shit sepse vetë 81 është një kthesë historike shumë e rëndësishme për historinë më të re të Kosovës. Pasthënëa e këtij viti të rëndësishëm është përndjekja frontale e çdo vlere shqiptare nga regjimi pushtues dhe në anën tjetër rritja e lëvizjes kombëtare të paparë në përmasa të tilla që qoi më në fund në çlirim dhe pavarësim e Kosovës”, tha Hajrizi.

Kujtojmë, që demonstratat e vitit 1981 filluan si një lëvizje spontane e studentëve të Kosovës të cilat u mbajtën në Prishtinë me 4 mars 1981 për kushte më të mira në mensën e studentëve në Prishtinë, që më pastaj nisi zinxhiri i demonstratave të 81-ës. Si pasojë rrodhën tubimet e njohura si “Demonstratat e Punëtorëve”, në të cilat punëtorët kërkonin lirimin e studentëve të burgosur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat