Haradinaj flet një ditë pas samitit: Merkeli, Macroni, Rama, Thaçi... të gjithë kërkuan heqjen e taksës - Bota Sot
Haradinaj flet një ditë pas samitit: Merkeli, Macroni, Rama, Thaçi... të gjithë kërkuan heqjen e taksës

Aktuale

Haradinaj flet një ditë pas samitit: Merkeli, Macroni, Rama, Thaçi... të gjithë kërkuan heqjen e taksës

Më: 30 prill 2019 Në ora: 13:14
Ramush Haradinaj në Berlin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një lidhje direkte nga Berlini, ka thënë se shtetet pjesëmarrëse në Samitin e Berlinit e marrin seriozisht çështjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi.

Ai, Samitin e Berlinit e quajti një kthesë në zhvillimet e rajonit për faktin se, sipas tij, tashmë ka një investim më serioz në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Haradinaj ka konfirmuar se ka pasur njëfarë presioni nga të gjithë për heqjen ose pezullimin e taksës ndaj mallrave serbe.

“Ka pasur një propozim ose kërkesë për pezullim të taksës për një kohë, ka qenë një situatë e rëndë. [Situata e rëndë] është krijuar nga kancelarja Merkel, nga Macroni, kryeministri Rama, presidenti Thaçi... të gjithë kanë qenë të mendimit se është mirë të pezullohet për një kohë që t’i jepet shans dialogut. S’kanë qenë kundër meje, por të një mendimi që t’i japim mundësi investimit të Kancelares Merkel dhe presidentit Macron që të ndodhë pezullimi i taksës”, deklaroi Haradinaj.

Duke folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Haradinaj tha se ky proces i deritanishëm ka devijuar dhe se taksa është vënë si pasojë se Serbia e ka rrezikuar planin e sigurisë nacionale të vendit.

“Kemi pasur një proces të dialogut, ai proces i dialogut ka devijuar. Ka krijuar dëme. Taksa është vënë si masë mbrojtëse pasi që Serbia na ka rrezikuar në planin e sigurisë nacionale. Zgjidhja është te marrëveshja për njohje ku përfshihen të gjitha temat tjera”, deklaroi ai.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se kancelarja gjermane e rikonfirmoi qëndrimin e Gjermanisë se çështja e kufijve nuk duhet të hapet më.

“Merkeli ishte shumë e qartë, nuk është zgjidhje diskutimi për territore e kufij sepse hap pikëpyetje të mëdha. Gjermania e ka konfirmuar qëndrimin e saj të vazhdueshëm, që nuk lejohet lëvizja me territore, me kufij. Ka qenë edhe dakordim i të gjithëve që s’do të diskutohet më tutje për kufij, por bisedimet do të fokusohen në njohjen reciproke”, u shpreh Haradinaj.

“Franca s’mund të them se është kundër [idesë për kufij], por nuk shihet një investim për një diskutim për kufij, për territore, nëse asgjë tjetër, është e lokalizuar dhe fokusimi është tek marrëveshja për njohje”, theksoi ai.

Haradinaj foli edhe për takimin me ambasadorin amerikan në Berlin, ku tha të ketë folur për domosdoshmërinë që SHBA-ja të jetë garantuese e një marrëveshjeje me Serbinë. “Është me interes roli garantues i Amerikës”.

Për vizat, Haradinaj tha se në qershor pritet një qëndrim më i qartë.

“Nuk ka refuzim të së drejtës për lëvizje të lirë. Janë në dijeni se Kosova i ka kryer kushtet e veta. E dinë se vendimi është tek ta. Aktualisht janë zgjedhjet për PE, në fund të majit, nuk presim një qëndrim të qartë. Tash do të takoj edhe ministrin e Brendshëm të Gjermanisë. Mendoj që në qershor do të kemi më shumë qartësi se si do të shkojë procesi për vendimin për liberalizim të vizave”, potencoi Haradinaj në këtë deklaratë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...