Sveçla tregon pse refuzoi të dalë para Komisionit për turqit ish-drejtori i AKI-së

Aktuale

Sveçla tregon pse refuzoi të dalë para Komisionit për turqit ish-drejtori i AKI-së

Nga: A.Zh Më: 8 maj 2019 Në ora: 13:33
Xhelal Sveçla

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova Xhelal Sveçla, ka folur për raportimin e shefit të AKI-së Shpend Maxhuni, para këtij Komisioni.

Sveçla ka thënë se në mbledhjen e sotme ishte paraparë edhe raportimi i ish-drejtorit të AKI-së Driton Gashi, aktualisht Sekretar i zyrës së Presidentit Hashim Thaçi.

Por, sipas Sveçlës, Gashi ka refuzuar të rrëfehet para Komisionit, njësoj sikur presidenti Hashim Thaçi, që refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të anëtarëve të komisionit, përcjell Bota sot.

Ai ka thënë se e vërteta për dëbimin e turqve nuk mund të fshihet dhe Thaçi me ”të vetët” e tij nuk do të mund ta kenë të gjatë përballë përgjegjësisë ligjore.

Reagimi i plotë i Xhelal Sveçlës:

Sot siç ishte e planifikuar, Komisioni Hetimor Parlamentar, vazhdoi punën me mbledhjen e radhës ku raportoi Drejtori i AKI, Shpend Maxhuni. Po ashtu ishte e planifikuar që të raportonte për së dyti herë edhe ish drejtori i AKI-së, Driton Gashi, aktualisht Sekretar i zyrës së Presidentit Hashim Thaçi.

Fatkeqësisht edhe Driton Gashi, sikurse edhe shefi i tij Hashim Thaçi më herët, refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të komisionit, pra refuzoi të kryente detyrimin para ligjit dhe komisionit për një çështje kaq delikate dhe me kaq rëndësi për integritetin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Driton Gashi në këtë refuzim, me pretendime false, kuptohet iu bashkëngjitën edhe deputetët e PDK-së, anëtarë të Komisionit.

Përmes kërkesave joligjore kërkonin të legjitimonin pozitën joligjore e jolegjitime të Presidentit Thaçi përballë Komisionit Parlamentar Hetimor.

E vërteta mbi shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut dhe veprimet e paligjshme gjatë dëbimit të 6 shtetasve turq nga Republika e Kosovës, nuk mund të fshihet as të heshtet.

As Hashim Thaçi as të vetët, nuk do të mund ta kenë të gjatë përballë përgjegjësisë ligjore, përfshirë dhe destruksionin në Komision.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat