Haradinaj: Do të ishte më mirë të shkonim me një qëndrim në Berlin

Aktuale

Haradinaj: Do të ishte më mirë të shkonim me një qëndrim në Berlin

Më: 8 maj 2019 Në ora: 20:06
Foto

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se do të ishte më e mençur sikur pala kosovare dhe ajo shqiptare të mbanin një qëndrim të njëjtë sa i përket kushtëzimit të dialogut në Samitin e Berlinit më 29 prill.

Këtë deklaratë Haradinaj e bëri në mbledhjen e Këshillit Drejtues të subjektit që ai drejton, ku ka folur për situatën politike në vend, duke u treguar kritik për dy partitë opozitare, LDK-në dhe Vetëvendosjen, ndërsa përsëriti se nuk do të ketë pezullim të tarifës për mallrat nga Serbia.

Ai ka thënë po ashtu se rreziku i dorëzimit të sovranitetit ka kaluar për Kosovën. Sipas tij janë tejkaluar edhe disa rreziqe, sikurse ai që ka qenë për largimin e mundshëm të Bonsteel-it nga Kosova. Po ashtu është shpëtuar edhe GJND-ja edhe sovraniteti i vet, pasi nëse vetë Kosova nuk e hap vendimin e GJND-së, këtë nuk mund ta bëjë askush tjetër.

Duke folur për samitin e Berlinit, ai tha se kancelarja gjermane  Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron ia kanë marrë çështjen e dialogut shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherinit, gjë që sipas tij, tregon se më nuk ekziston tema e territoreve.

Haradinaj: Do të ishte më mirë që të shkonim me një qëndrim në Berlin

“E vërteta është se edhe kryeministri Rama dhe presidenti Thaçi, realisht më kanë kërkuar mua që të kem mirëkuptim për dy udhëheqësit evropianë, edhe për kancelaren edhe për presidentin Macron që të pezullohet taksa sepse këto kanë qenë edhe qëndrime të mëhershme. Ndoshta ka qenë më e mençur që ne, pala shqiptare, kryeministri Rama, unë dhe presidenti Thaçi, të mbanin një qëndrim që nuk bën të kushtëzohet dialogu, që do të ishte më e lehtë, për mua do të ishte më i lehtë menaxhimi pastaj”, tha ai.

E një gjë që nuk është thënë gjatë samitit në Berlin, por që Haradinaj beson se ka ndodhur, është kalimi i procesit të dialogut nga Mogherini te Macron dhe Merkel.

Haradinaj: Nuk ekziston më dialogu nën udhëheqjen e zonjës Mogherini

“Kancelarja Merkel dhe presidenti Macron ia kanë marrë procesin përfaqësues të lartë, zonjës Mogherini. Ajo në një moment ka propozuar që ky proces me u konsideruar në kuadër të saj, por nuk e ka marrë aprovimin e kancelares dhe të presidentit Macron, që do të thotë pra se dialogu, i cili ka ekzistuar nën udhëheqjen e zonjës Mogherini më nuk ekziston. E me këtë nuk ekziston edhe tema ose formula e kufijve dhe territoreve”, tha ai.

Ai është shprehur pro asociacionit të komunave në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, teksa ka thënë se nuk do të lejojë një “Dodik republikë” në Ballkan.

Haradinaj: Republika e Dodikut, kali i Trojës i Putinit në Ballkan

“Nuk duam edhe një ‘Dodik republikë në Ballkan’, sepse ajo do të ishte kali i Trojës i Putinit në Ballkan, një mundësi që Putini me vazhduar me luajtur influencë në Kosovë ose në rajon. Pra, një asociacion i komunave në bazë të Kushtetutës tonë dhe të ligjeve të Kosovës po, një ‘Dodik republikë’ jo”, tha ai.

Para të pranishmëve, ai tha po ashtu se në Gjermani i është premtuar liberalizimi i vizave, ndërsa ka pohuar se si kohë opsionale mund të jetë shtatori.

Ndryshe, në mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe të Kryesisë së AAK-së, u diskutua për  zhvillimet e fundit politike, zgjedhjen e Komisionit për Etikë, u caktua data e mbajtjes së Kuvendit të Punës dhe u bë artikulimi i qëndrimit mbështetës për kandidatët që garojnë për Parlamentin Evropian, partitë e të cilëve janë anëtare të Partive Popullore të Evropës (PPE).

Në përputhje me statutin e AAK-së, aty u zgjodhën edhe pesë anëtarët e Komisionit për Etikë: Vasilika Zotaj, Smajl Latifi, Drita Kukaj, Selim Selimi, dhe Zenun Elezi.

Nga ky takim, data e mbajtjes së Kuvendit të Punës është caktuar 9 qershori 2019, ku si temë qendrore u tha se do të jenë orientimet strategjike të këtij subjekti, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe anëtarësimi në grupin e qendrës së djathtë, PPE

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat