I mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës zbulon se kush ishte zyrtari që e mori Ukshin Hotin

Aktuale

I mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës zbulon se kush ishte zyrtari që e mori Ukshin Hotin

Më: 22 maj 2019 Në ora: 09:35
Ukshin Hoti

I mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Sadik Zeqiri, ka rrëfyer për tmerrin e përjetuar 20 vjet më parë.

Zeqiri tha se kishte menduar që atë ditë do të përsëritej tmerri i Bosnjës nga forcat serbe.

”Një grup i madh prej të burgosurve kemi hyrë në bodrumin e kuzhinës për të qenë pak më të sigurt. Në mëngjesin e 23 majit kanë hyrë brenda burgut forcat paramilitare serbe, këta të Pavijonit C nuk i kanë parë. Forca të mëdha kanë hyrë brenda dhe kanë kërkuar që ne të dorëzohemi, kanë gjuajtur me zolla dhe na kanë detyruar të dalim. Na kanë thënë t’i vendosim duart në kokë, të na i mbyllnin sytë”.

”Kam menduar që do të na ndodhte një Bosnje e dytë sikurse na ndodhi ajo ne në Dubravë – sepse me duar të lidhura pas e me sy të mbyllur e me benzinë, vështirë se do mund të shpëtonim të gjallë. Nisëm të përshëndetemi edhe me shokët, sepse nuk e dinim nëse do t’mbesim gjallë. Por, fatmirësisht erdhi një urdhër që ne të shkojmë tek fusha e sportit”.

Sadik Zeqiri po ashtu ka përmendur edhe një emër për të cilin thotë se është një pistë nga e cila mund të zbardhet fati i veprimtarit Ukshin Hoti, i cili konsiderohet i zhdukur.

“Te rasti i marrjes së Ukshin Hotit që është marrë nga Pavijoni B: Ne të Pavijonit C e kemi parë një njeri që po lirohej nga burgu – nuk e kemi ditur që është Ukshin Hoti. Thuhet sipas të burgosurve se [Ukshin Hotin] e ka marrë një përgjegjës i pavijoneve, një Branko Komatina dhe e ka dërguar tek drejtori i burgut”.

”Përveç tij është liruar edhe një i burgosur tjetër. Nga dritarja e burgut e kemi dëgjuar duke i thënë: “Ty do të të dërgojmë deri në Pejë, dhe nga Peja shko ku të duash”. Mirëpo, pas disa vitesh, më 2005 është gjetur i vrarë, i varrosur në varrezat e Pejës”.

”Kjo vijë hierarkike duhet me u ndjekë dhe do të ishte gjetur edhe fati i Ukshin Hotit edhe i të gjitha rasteve tjera”.

I mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës kërkoi që deputetët e Kuvendit të Kosovës të marrin më me seriozitet çështjen e krimeve serbe të kryera ndaj shqiptarëve.

Ai tha se për rastin e Masakrës së Dubravës prokuroria duhet të reflektojë sepse ka rreth 700 dëshmitarë në lidhje me atë se çka ka ndodhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat