Edhe këtë vit duket se fëmijët nuk do t’i gëzojnë shtesat

Aktuale

Edhe këtë vit duket se fëmijët nuk do t’i gëzojnë shtesat

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 13:37
Ilustrim

Fëmijët e Kosovës ashtu siç mbetën për 20 vite pa shtesa, edhe këtë vit siç duket do e kalojnë pa ato. Përkundër që u tha se në fillim të këtij viti fëmijët do i marrin “pagat” e tyre, pasi që në Kuvend të Kosovës u votua edhe rezoluta e shtesave, kjo realisht nuk ka ndodhur pasi që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ende nuk e ka hartuar legjislacionin e nevojshëm që rezoluta për shtesat e fëmijëve të fillojë së zbatuari.

Për këtë arsye ende nuk dihet saktë se sa fëmijë do përfitojnë nga kjo skemë, dhe nuk dihet se sa do e rëndojë buxhetin e Kosovës shpërndarja e shtesave.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica u shpreh se në kuadër të koncept dokumentit për fushën e pensioneve është planifikuar krijimi i Fondit të Sigurimeve Sociale, nga i cili fond do të financohen edhe shtesat e fëmijëve për të punësuarit, fond ky i cili sipas tij, duhet të përfundojë deri në vitin 2020.

Reçica ka siguruar se si ministri janë duke u marrë seriozisht me këtë çështje, por sipas tij, për një kornizë ligjore të mirëfilltë duhet kohë.

Reçica: I siguroj fëmijët e Kosovës se me përkushtim po merremi me çështjen e shtesave

“Me reformën sociale ku do mbulohen fëmijët e familjeve në asistencë sociale dhe me ligjin për Fondin për Sigurime Sociale ku do mbulohet kujdesi prindëror për të gjithë fëmijët që punojnë që krijojnë dhe ndajnë fonde për Fondin për Sigurime Sociale në një mënyrë apo tjetër do mbulohen të gjithë fëmijët me shtesa të fëmijëve. Mund të thotë dikush që do merr kohë por realisht ne kemi trashëguar një situatë sa i përket edhe skemave pensionale edhe sigurimeve sociale edhe asistencës sociale dhe po përpiqemi që brenda kësaj reforme me përmbyll brenda këtij viti, eventualisht pjesa e parë e vitit tjetër me na gjet me një kornizë komplet tjetër...Mund t’i siguroj fëmijët e Kosovës se ne po punojmë me përkushtim për krijimin e një kornize të mirëfilltë ligjore ku do trajtohet edhe kujdesi prindëror, përkatësisht shtesat e fëmijëve. E kuptoj që mund të ketë kërkesa por ndërtimi i një bazë të mirëfilltë ligjore e do kohën e vetë dhe ne jemi duke punuar me një përkushtim dhe angazhim të lartë“, u shpreh Reçica.

Ministri i Punës deklaroi se meqenëse ende nuk ka nisur draftimi i ligjit për ndihmës sociale dhe Fondin e Sigurimit Social, ende nuk dihet saktë kostoja buxhetore dhe numri i fëmijëve që do përfitojnë nga shtesat.

Reçica: Ende nuk dihet buxheti dhe numri i saktë i fëmijëve që do përfitojnë shtesat

“Tani për tani meqë akoma nuk kemi filluar me draftimin e këtyre ligjeve natyrisht që nuk jemi futur në analiza të mirëfillta, natyrisht ekipet profesionale të cilat kanë punuar në këto dy komisione në këto dy grupe punuese natyrisht kanë bërë analizat fillestare të kostos buxhetore por them që hap pas hapi do dihet saktë kostoja buxhetore për shtesat e fëmijëve...Të flitet për numër të saktë të fëmijëve se sa do jenë përfitues të shtesave nuk është momenti sepse jemi në hartim të kornizës ligjore që natyrisht që do hap rrugë dhe mundësi të qarta që të kemi edhe koston buxhetore por edhe numrin e saktë të përfituesve të shtesave për fëmijë”, u shpreh ai.

E lidhur me këto vonesa iniciuesja e rezolutës së shtesave, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi thotë se në rast të vonesave për hartim të legjislacionit adekuat për shtesat, një punë të tillë do mund të kryej edhe Kuvendi i Kosovës.

Kadaj-Bujupi: Do gjejmë mënyra se si ta jetojmë sa më parë këtë rezolutë

“Në rast të vonesave eventuale ne çdo herë kemi mundësinë që si deputet me iniciativë tonën ta hartojmë vetë ligjin në parlament, do thotë kemi mundësi që të kemi edhe nisma legjislative si Kuvend në rast se Qeveria nuk e procedon tutje...Ajo se çfarë mund të them është se siç edhe ka premtuar kryeministri Haradinaj dhe siç jemi angazhuar të gjithë ne bashkë deputetët pozitë dhe opozitë për të nxjerr rezolutën në fjalë do të gjejmë mënyra si dhe ta jetësojmë sa më parë“, tha Kadaj-Bujupi.

Në anën tjetër njohësit e çështjeve sociale në Kosovë ndonëse e përshëndesin iniciativën e deputetëve, thonë se shuma e propozuar për t’u ndarë për secilin fëmijë, është shumë e vogël, gjë që tregon edhe përkushtimin e  vogël të shtetit ndaj kësaj kategorie.

Psikologu Besnik Peci edhe pse këtë nismë e konsideruar si mjaftë të vonuar, thotë se shtesa me koston prej 10 eurosh nuk është cilësore.

Sipas tij, kjo skemë e propozuar nuk stimulon rritje të natalitetit, prandaj këshillon që shteti të merret më seriozisht me këtë çështje.

Peci: Kjo qasje edhe e vonuar por edhe jo cilësore

 “Kjo qasje është tejet e vonuar edhe nuk është cilësore, mbështetja nuk është cilësore duhet me u marr më seriozisht për shkak se nëse vazhdohet kështu me këtë shkallë të ulët të natalitetit me këtë shkallë të lartë të mortalitetit pas 15 viteve kemi me mbetur shumë keq në shoqëri dhe thjeshtë pjesën kryesore të shoqërisë kanë me na munguar...Shtimi i popullatës mendoj që do të duhej  të mbështetej prej shtetit për faktin se varfëria e madhe e ka reduktuar dëshirën për të zgjeruar familjen dhe për të bërë fëmijë më tepër, por politikat sociale në vendin tonë ende janë larg asaj të dëshirueshmes që thjeshtë këto familje me qenë thjesht të monitvuara, 10 euro nuk paraqesin kurrfarë impakti pozitiv”, u shpreh psikologu Peci.

Sipas psikologut, Besnik Peci duhet të përdoren politika të tjera më pozitive që do të ndikonin në rritjen e numrit të lindjeve në Kosovë .

Iniciativa e deputetes Donika Kadaj-Bujupi e kthyer në rezolutë nga Kuvendi i Kosovës parasheh që çdo familje të përfitojë 10 euro në muaj për fëmijën e parë, 5 euro për të dytin dhe 2,5 euro për të tretin, ndërsa, sipas deputetes Bujupi, nga kjo skemë do të përfitonin rreth 500 mijë fëmijë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat