Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një paraqitje për media pas një paneli që e pati me presidentin serb Aleksandër Vuciq tha se marrëveshje mes Kosovës e Serbisë do të përmbyllet me njohje reciproke.
Sipas tij, ky diskutim ishte në frymën e një diskutimi për kërkim të mundësive për vazhdim të dialogut Kosovë-Serbi.
“Ishte në frymën e një diskutimi të kërkimit të mundësive për vazhdimin e dialogut që dialogu të mos kushtëzohet që të arrihet një marrëveshje përfundimtare që do të përmbyllet me njohje reciproke. Dialogu nuk ka alternativë”, deklaroi presidenti.
“Është një mundësi e jashtëzakonshme ta prezantojmë suksesin e vendit tonë, në shtetin ku ende s’u njoh pavarësia e Kosovës. Kishin mundësi të mira të takojmë liderë të BE’së. Ata konfirmuan mbështetjen e fuqishme për Kosovën”, theksoi tutje.
Sipas tij Serbia duhet të implementojë marrëveshjet dhe obligimet në sektorin e energjisë e mos t’i pengojë serbët e veriut për çështjet e urës.
“Ka pikëpamje të ndryshme edhe për arritjet edhe për të kaluarën. Ka dallime thelbësore që janë krejt normale. E theksoj Serbia duhet të implementojë marrëveshjet dhe obligimet që ka marrë”, përfundoi presidenti.