Ish-komandanti i UÇK-së i reagon Vuçiqit: Nuk përkulemi para dikujt që iu ndal ora në vitet e 90-ta

Aktuale

Ish-komandanti i UÇK-së i reagon Vuçiqit: Nuk përkulemi para dikujt që iu ndal ora në vitet e 90-ta

Nga: A.Zh Më: 8 korrik 2019 Në ora: 14:45
Zafir Berisha, ish-komandant i luftës çlirimtare të Kosovës

Zafir Berisha, ish-komandant i luftës çlirimtare të Kosovës, ka reaguar për krizën e inskenuar humanitare në veri të Kosovës, duke thënë se ajo nuk është thjeshtë një gënjeshtër e radhës e Serbisë.

Ai ka thënë se inskenimi i krizës, tregon për vazhdimësinë e frymës politike të Jovica Qosiqit, “babait të nacionalizmit dhe hegjemonisë serbe”, përcjell Bota sot.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, ka theksuar se në veri ka vetëm krizë shtetërore, pasi sipas tij, aty strukturat paralele të orkestruara dhe të financuara nga Beogradi po sfidojnë pareshtur institucionet e vendit.

Në reagimin e tij në Facebook, Berisha ka thënë se historia nuk mund të ndryshohet, duke ia kujtuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq se gjenocidin që Serbia ka bërë në Kosovë.

Sipas deputetit të Nismës, duhet të punohet shumë për sigurinë dhe paqen, por Kosova nuk duhet të përkulet para Serbisë, që “iu ka ndalur ora në vitet e 90-ta”.

Më poshtë reagimi i plotë i Zafir Berishës:

Në kohë kur Serbia do te duhej të jepte sinjale për vazhdimin e dialogut dhe për arritjen e marrëveshjes së paqes me Kosovën ajo vazhdoi politikën e saj të vjetër të mbushur me inskenime, manipulime e gënjeshtra.

Inskenimi i krizës humanitare në Veri të vendit nuk është thjeshtë një gënjeshtër e rradhës e Serbisë, por ajo tregon për vazhdimësi e frymës politike të Jovica Qosiqit, babait te nacionalizmit dhe hegjemonisë serbe.

Mendimi politik i Qosiqit për Serbinë përmblidhej në viktiminizimin, inskenimin, shpifjen e mashtrimin për të fshehur e neutralizuar veprimet e tyre armiqësore ndaj gati të gjithë fqinjëve. Me mendimin e tij politik, Serbia ka operuar në katër luftërat të shkaktuara nga ajo.

Sot, 20 vite pasluftës, kur e dëgjon Vuçiqin tek i thurr lavde Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit, dhe tek mohon gjenocidin në Kosovë ku Masakrën e Reçakut e quajti inskenim të Perëndimit dhe Kosovës, e kupton se elita më e lartë politike e Beogradit fatkeqsisht nuk e ka tejkaluar ende mendësinë e vjetër të politikës së tyre, përkundrazi janë kopje e tyre.

Në Veri nuk ka asnjë krizë humanitare, atje ka vetëm krizë shtetërore, sepse strukturat pararele të orkestruara dhe të financuara nga Beogradi sfidojnë parreshtur institucionet e vendit.

Serbia ka harruar se në Veri ka një numër institucionesh ndërkombëtare dhe ata e dinë mirë se propaganda e tyre për krizë humanitare është manipulimi i tyre i rradhës.Europa do të duhej të ishte më e ashpër për këto veprime provokative të Serbisë dhe jo të vazhdojë me qasjen e saj përkëdhelse ndaj Beogradit.

Serbia mund të viktimizohet sa të mundet por historia nuk ndryshon. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. dhe ky është fakt i pranuar ndërkombtarisht dhe i bazuar në statistika zyrtare. Ka dëbuar dhunshëm mbi 1 milion banorë, ka dhunuar 20 mijë femra, ka vrarë 15 mijë qytetarë, ka shkatrruar mbi 70% të infrastrukturës, ka vrarë e masakruar pleq e fëmijë. Ky është versioni që njohim ne dhe të tjerët.

Shteti i Kosovës nuk duhet të lejojë që të ketë as krizë humanitare dhe asnjë krizë tjetër as për serbët dhe as për komunitetet tjera të pakicave etnike. Republika e Kosovës është shteti i të gjithëve, i atyre që e pranojnë shtetin. Për të tjerët që e sfidojnë dhe provokojnë atë, nga brenda dhe jashtë, i kemi institucionet tona të sigurisë që duhet ta bëjnë punën e tyre.

Duhet të punojmë dhe t'i ftojmë të gjithë për paqe, siguri e përparim por në të njejtën kohë nuk duhet të përkulemi para askujt që ju ka ndalur ora në vitet e 90-ta.

Zafa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat