Jakup Krasniqi ka marrë sot ftesë nga Gjykata Speciale.
Pas kësaj, ka reaguar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përcjell Bota sot.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se lufta e UÇK-së ka qenë dhe do të mbetet e pastër dhe e drejtë dhe asnjë gjykatë s’mund ta njollos atë.
Thaçi ka thënë se me Jakup Krasniqin e anëtarë të tjerë të ftuar nga Specialja, e kanë mbrojtur popullin.
I bindur se do të dalim sërish fitimtarë, presidenti ka thënë se e çmon gatishmërinë e të gjithëve që të bashkëpunojnë me drejtësinë.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe do të mbetet përjetësisht e pastër dhe e drejtë. Asnjë gjykatë, as vendore, as ndërkombëtare, nuk mund ta njollos atë. Me Jakup Krasniqin, me anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, komandantët e zonave dhe ushtarët që janë ftuar nga Gjykata Speciale, ne e kemi mbrojtur popullin dhe e kemi luftuar armikun deri në çlirimin e vendit tonë. Si president i vendit, si bashkëluftëtar, e çmoj shumë gatishmërinë e të gjithëve që të bashkëpunojnë me drejtësinë. Duke bashkëpunuar me drejtësinë ndihmojmë që të ngadhënjejë e vërteta për luftën tonë çlirimtare. Jam i bindur që, njëjtë sikurse në të kaluarën, sërish do të dalim fitimtarë. Pastërtia e luftës sonë do të dëshmohet përballë çdo gjykate! HTH.