Grabitësi i rrezikshëm që ia vodhi revolen djalit të Rifat Jasharit

Aktuale

Grabitësi i rrezikshëm që ia vodhi revolen djalit të Rifat Jasharit

Më: 20 korrik 2019 Në ora: 15:37
Bashkim Jashari dhe Elbasan Karaçica

Elbasan Karaçica dyshohet se i ka vjedhur armën Bashkim Jasharit, djalit të Rifat Jasharit dhe gjeneralit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Më 8 maj të këtij viti në fshatin Komoran, i dyshuari Elbasan Karaçica, në bashkëpunim me të dyshuarin tjetër Ahmet Kamberi, thyen xhamin e veturës së Bashkim Jasharit dhe ia vodhën një çantë në të cilën Jashari ruante armën e tij “Glock 17”.

Sipas një raporti të Prokurorisë së Shtetit të cilin e ka siguruar Insajderi, Karaçica dhe i dyshuari tjetër me inicialet Ahmet Kamberi, e kanë kryer vjedhjen rreth dy-tre minuta pasi Jashari kishte parkuar veturën dhe kishte dal nga ajo.

“I dëmtuari Bashkim Jashari, pjesëtar i FSK-së, e kishte parkuar veturën e tij ‘Landrover’, pronë e FSK-së, dhe pas një intervali kohor prej 2-3 minutave kur ishte kthyer tek vetura e tij kishte parë se i ishte thyer xhami i derës së pasme”, thuhet në raport.

Në çantën e vjedhur, Jashari ruante edhe dokumentet e tij personale.

“Nga ku i ishte marrë çanta e kraharorit në të cilën kishte pasur armën zyrtare Glock 17 dhe dokumente personale”, dyshon Policia.

Ndonëse ndodhen në kërkim, Policia e Kosovës nuk ka arritur t’i kap të dyshuarit prej disa javësh.

Madje, i dyshuari Elbasan Karaçica, pothuajse çdo ditë sfidon Policinë e Kosovës përmes rrjeteve sociale ku publikon fotografi të tij duke lëvizur lirshëm nëpër Kosovë.

Të premten, Karaçica ka publikuar një fotografi në një kafene në Kosovë, por Policia e Kosovës ende nuk ka arritur ta lokalizojë vendndodhjen e tij.

Media ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të kërkuar lidhur me kërkimet për kapjen e të dyshuarve, mirëpo Policia ka kërkuar kohë derisa të pranojë informata nga Stacioni Policor në Drenas.

Bashkim Jashari është djali i Rifat Jashari dhe nipi i Adem Jasharit, Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai është gjeneralbrigade dhe inspektor gjeneral i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat