Studentët e vitit 1989 shënojnë 30 vjetorin e demonstratave

Aktuale

Studentët e vitit 1989 shënojnë 30 vjetorin e demonstratave

Më: 6 gusht 2019 Në ora: 18:20
Studentët e vitit 1989 shënojnë 30 vjetorin e demonstratave

30 vite më parë, më 30 maj të vitit 1989, Parlamenti Evropian kishte nisur në Kosovë një delegacion parlamentarësh, me qëllim që të shihnin nga afër zhvillimet në Kosovë pas shfuqizimit të dhunshëm të autonomisë, e po ashtu të shohin edhe pozitën e shqiptarëve pas vendosjes së administratës represive ushtarake-policore serbe.

Duke shfrytëzuar praninë e këtij delegacioni nga Parlamenti Evropian, studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës organizuan një tubim proteste kundër pranisë represive serbe në Kosovë, me qëllim që t´u tërhiqej vëmendja parlamentarëve evropianë. Shumë prej tyre pas përfundimit të kësaj vizite edhe u arrestuan.

Këto protesta po kujtohen edhe sot pas tri dekadave. Në vendin ku edhe u organizuan për të protestuar, dhjetëra studentë të atëhershëm sot  janë mbledhur për të shënuar protestën e 30 dhe 31 majit.  Sylë Ukshini, i cili aso kohe ishte edhe njëri nga organizatorët e kësaj proteste, thotë se përveç takimit me delegacionin e Parlamentit Evropian, ata kërkonin që të lirohen të burgosurit politikë dhe të rikthehej gjendja që ishte para marsit të vitit 1989.

Ukshini: Ishte një provë për të treguar realititen me të cilin po ballafaqohej Kosova

“Ishte një provë për të treguar realitetin në të cilin po ballafaqohej Kosova. Dhe ishte një muaj para manifestimit në Gazimestan që do ta bënin serbët, pra Millosheviqi. Pra, ishim një grup i madh i studentëve dhe provuam që të komunikojmë me delegacionin e Parlamentit Evropian. Dhe më kujtohet që në Hotelin ‘Grand’ kishin një takim atëherë Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, ishin intelektualë dhe me sa e di unë ka qenë edhe një intelektualë i ftuar nga Maqedonia. Por, ne studentët kishim kuptuar që për çështje frike nuk kishte shkuar”, shprehet Ukshini.

Ukshini thotë se kjo demonstratë, kishte karakter politik, por qëllimi ishte që të arrihet një komunikim me delegacionin e Parlamentit Evropian. Takimi në mes delegacionit dhe studentëve nuk u realizua, sepse sipas Ukshinit delegacioni në fjalë paraprakisht do të duhet ta ketë pasur të parapërcaktuar nga regjimi i Beogradit, i cili atë natë, më 30 maj 1989, edhe ndaj studentëve kosovarë nuk u soll me atë ashpërsinë e tij të njohur.

Njazi Gashi, i burgosur politikë aso kohe, thotë se kjo ngjarje ka dhënë një impuls që të ngritet vetëdija në përgjithësi, për çka siç rrëfen ai kanë rrezikuar edhe ndërprerjen e studimeve.

Gashi: Unë u burgosa së bashku me studentët tjerë

“Jam shok me këta studentë që na burgosen në vitin 1989, që na burgosen atëherë forcat serbo-sllave. Dhe unë mendoj që demonstratat aso kohe janë në vazhdën e aktiviteteve të popullit të Kosovës për liri. Sepse nëse e shikojmë historinë gjithë shqiptare, nuk ka dhjetë vjeçar të popullit shqiptar që nuk është kryengrit. Unë atëherë isha në vazhdën e aktivitetit tim ilegal, sepse isha i burgosur i vitit 1981”, thotë ai.

Shaqir Kryeziu, i cili në atë kohë ishte student i vitit të tretë të Fakultetit të Bujqësisë, rrëfen për KP organizimin e studentëve për të protestuar, pasi kishin kuptuar që një grup i delegacionit të Parlamentit Evropian do të vizitonin Kosovën.

Kryeziu: U munduam që të sensibilizojmë opinionin ndërkombëtar

“Ne hetuam që në Kosovën do të vinte Parlamenti Evropian dhe shpejt e shpejt u organizuam dhe e bëmë atë që kishim mundësi për të bërë. U munduam që në një formë të sensibilizojmë edhe më tutje opinionin ndërkombëtar, që në Kosovë ka vuajtje, në Kosovë vuan populli shqiptar edhe sa më shpejt që është e mundur duhet të bëjmë diçka më shumë”, rrëfen ai.

Në këto protesta kishte marrë pjesë edhe Sinan Kryeziu, i cili 30 vite pas kujton se moto e asaj proteste ishte “Jo jo Serbi, nuk do të jesh Perandori”. Më 31 maj 1989, atëherë kur parlamentarët evropianë tashmë ishin larguar nga Kosova, demonstrata studentore vazhdoi me të njëjtin ritëm dhe në mënyrë paqësore. Policia filloi me forca të shumta policore dhe agjentë të shërbimit sekret jugosllav ta rrethonte vendin e demonstruesve në Qendrën e Studentëve.

Kryeziu: Natën e dytë ka qenë protesta masovike

Video “ Nga ora 08:00 deri në 09:00 kanë qenë me mijëra e mijëra studentë, por edhe qytetarë të Prishtinës që  kanë marrë pjesë. Natën e parë nuk ka pasur intervenime të Policisë, ka pasur burgosje aty-këtu të disa studentëve, duke u larguar prej Qendrës së Studentëve, shkaku i vizitës së delegacionit të Parlamentit Evropian. Natën e dytë e kemi vazhduar, dhe ka qenë protesta shumë masovike dhe kemi vazhduar deri në orët e vona të natës. Dhe në orën 23:00 ata kanë intervenuar me gaz lotsjellës dhe kanë gjuajtur me armë automatike”, shprehet ai.

Pas intervenimit, 114 studentë ishin arrestuar, për çka kishin vuajtur dënimin me 60 ditë burg në Burgun e Dubravës.

Për këtë, ata thonë se ndihen krenarë për përkushtimin që kishin aso kohe, për mbrojtjen e vendit si studentë. Kjo demonstratë studentore, siç thonë ata, përbën një hallkë të fuqishme në zinxhirin e pashkëputur të lëvizjes studentore dhe lëvizjes kombëtare të popullit shqiptar në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat