A do ta marrin seriozisht komunat thirrjen e Veselit për lirimin e pronave të uzurpuara?

Aktuale

A do ta marrin seriozisht komunat thirrjen e Veselit për lirimin e pronave të uzurpuara?

Më: 18 gusht 2019 Në ora: 18:51
Kryekuvendari Kadri Veseli

Kryekuvendari Kadri Veseli, sot takoi Naser Januzin nga Barileva e Prishtinës, i cili ishte viktimë e fenomenit të uzurpimit të pronave.

Për vite me radhë ai nuk ka pasur mundësi t’i shfrytëzojë tri lokalet që kishte privatizuar me të ardhurat e mbledhura prej punës së tij në Gjermani.

Veseli përmes një postimi në Facebook ndërsa ka njoftuar për takimin me Naser Januzin, ka pohuar se nisma që ka ndërmarrë dy vite më parë për t’i larguar të gjithë abuzuesit nga pronat e uzurpuara ia ka kthyer edhe Naserit pronat që i takojnë.

“Jo vetëm kaq, por ia ka kthyer edhe besimin tek e ardhmja e Kosovës dhe do të investojë edhe më shumë kapital, që të hap vende të reja pune dhe të punësojë sa më shumë të rinj”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ai më tej ka shkruar se tani e kanë radhën komunat që të angazhohen më seriozisht dhe t’i lirojnë edhe qindra prona të tjera që mbahen kundërligjshëm të uzurpuara.

“Vetëm duke luftuar korrupsionin dhe garantuar sundimin e ligjit mund t’i bindim ndërmarrësit e suksesshëm të diasporës, si Naserin dhe shumë të tjerë, që të kthehen dhe të investojnë në të ardhmen e atdheut tone”, ka shkruar Veseli.

Kujtojmë se Veseli i shoqëruar nga përfaqësues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) kishte takuar edhe në vitin 2016-të Naser Januzin të cilit i ishte liruar prona, saktësisht më datë 9 shtator.

Gjatë vizitës që i kishte bërë lokalit të liruar në qendër të Prishtinës, Veseli e kishte uruar pronarin e ligjshëm, Naser Januzi për pronën e liruar.

Kujtojmë se në vitin 2016, Veseli pat iniciuar një aksion të madh të lirimit të pronave publike nga uzurpatorët dhe ky vendim i tij pat bërë bujë të madhe.

Në atë kohë, në një aksion të gjerë të policisë, ishin liruar mbi 200 prona të uzurpuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat