Agim Veliu i përgjigjet Kurtit: S’bëmë koalicionin sepse jemi të parët në sondazhe

Aktuale

Agim Veliu i përgjigjet Kurtit: S’bëmë koalicionin sepse jemi të parët në sondazhe

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 15:11
Agim Veliu

Numri dy i LDK-së, Agim Veliu iu ka kundërpërgjigjur kreut të Vetëvendosjes Albin Kurtit që tha se bashkëpunimin në koalicion mes të dy partive, e ndaloi frika që Lidhja Demokratike ka nga PDK e Kadri Veselit. Në një përgjigje, Veliu këtë deklaratë të Kurtit e ka quajtur të pakuptimtë e ‘margaritar’.

Disa muaj negociata nuk arritën që të bashkojnë në koalicion parazgjedhor Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje. As oferta që kreu i VV-së, Albin Kurti i bëri LDK-së, së Isa Mustafës që numrin 1 në listë zgjedhore ta marrë Lidhja Demokratike nuk e bindi këtë të fundit.

Kështu të dy partitë vendosën që të testojnë veten duke shkuar pa koalicione në zgjedhjet që do të mbahen me 6 tetor.

E vetëm atëherë kur filloi gara para fushatës, doli në pah ajo se çka vërtetë i la larg një koalicioni të mundshëm partnerët që për dy vite funksionuan së bashku si një në opozitë.

Elez Blakaj u bë sebep i parë që dy kandidatët, Albin Kurti e Vjosa Osmani të gjuanin kritikat e para për njëri-tjetrin.

Derisa Kurti tha se do ta kthejë në Kosovë prokurorin që tash gjendet në SHBA, Osmani iu kundërpërgjigj duke thënë se kjo është logjikë e ‘Pronto-s’. Pak kohë iu desh, Albin Kurtit që për të njëjtën deklaratë të fliste në Emisionin Pressing në T7. Lideri i VV-së tha se dëshira e LDK-së mbeti prapa nga frika që kishin këta të fundit ndaj PDK-së.

 “LDK’ja nuk merrnin vesh kur thosha ta bëjmë koalicionin parazgjedhor. Unë kisha optimizëm të shkonim para, por dëshira e tyre që të vijnë me neve, ngelej mbrapa nga frika e tyre prej PDK’së”, deklaroi ai.

Kësaj deklarate të Albin Kurtit iu është përgjigjur  në një bisedë, nënkryetari i parë i LDK-së, Agim Veliu.

Veliu ka thënë se ajo se çka ka deklaruar Kurti është e pakuptimtë, derisa, këtë thënie e ka konsideruar si margaritar.

“Ajo është diçka shumë pa lidhje, shumë e pa kuptimtë. Ai duhet me e elaboru këtë thënie, këtë margaritar”, thotë Veliu, derisa, tutje, ka thënë shpjegime se pse realisht nuk u arrit marrëveshje që LDK dhe Vetëvendosje të shkonin së bashku në një listë zgjedhore.

“Nuk ka pas lidhje me PDK koalicioni jonë me subjekte tjera ne i kemi shqyrtu koalicionet tona e kem pa që ne sondazhe jemi partia e parë nuk kemi pas frikë me hy vetëm. Bisedat që janë udhëheq nuk kam marrë pjesë po në bazë  të informacioneve është se kërkesat e tyre kanë qenë maksimale që të hyjmë vetëm dhe që pozicioni i kryeministrit ka qenë në diskutim dhe asnjëra palë nuk ka lëshu pe. Neve nuk na ka taku me lëshu pe sepse jemi partia e parë në të gjitha sondazhet”, ka thënë nënkryetari i LDK-së.

Agim Veliu ka komentuar edhe deklaratën e kandidatit për deputet të Vetëvendosjes, Glauk Konjufcës që tha mbrëmë se Vjosa Osmani ka vepruar me logjikë të Prontos me rastin e prokurorit Elez Blakaj.

 “Vjosa ka heshtur kur është diskutuar për Elezin ajo ka funksionuar me logjikën e Pronots dhe ka heshtur”, ka thënë Konjufca.

Mirëpo, ajo se çka tha Konjufca për Osmanin si duket nuk po i bën përshtypje Veliut. Ai thotë se partia e Kurtit është e njohur për deklarata të tilla.

“Këto janë të njohur për deklarata të tilla”, tha ai.

Por, sa po i prish marrëdhëniet në mes të dy partive dhe një bashkëpunim të mundshëm pas ditës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, sipas Veliut mbetet të diskutohet në parti.

“Për çdo gjë LDK do të merre vendime nuk janë individuale do të diskutohen”, ka përfunduar Veliu.

Që nga fillimi i qeverisë PAN, LDK dhe Vetëvendosje kishin filluar bashkëpunimin për mocion të mosbesimit. Menjëherë pasi Ramush Hardinaj deklaroi dorëheqjen nga pozita e kryeministrit, dy liderët Isa Mustafa e Albin Kurti zhvilluan disa takime për një marrëveshje të mundshme të koalicionit.

Gjithçka shkonte në pikën zero atëherë kur të dy partitë nuk lëshonin pe për pozitën e kryeministrit. Megjithatë, Mustafa dhe Kurti u dakorduan që të bashkëpunojnë pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit, duke u shprehur se pozita e të parin në qeveri do t’i takojë partisë që del e para në zgjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat