Auditori i Përgjithshëm viziton Zyrën Supreme të Auditimit të Çekisë

Aktuale

Auditori i Përgjithshëm viziton Zyrën Supreme të Auditimit të Çekisë

Më: 14 nëntor 2019 Në ora: 17:47
Pamje nga takimi

Sot, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës Besnik Osmani i shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Ilir Salihu zhvilluan një vizitë pune në selinë e Zyrën Supreme të Auditimit të Çekisë, në Pragë ku u pritën në një takim të veçantë nga Presidenti i këtij institucioni, Miloslav Kala.

Në këtë takim u bisedua për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të dy Institucioneve Supreme të Auditimit; për procesin e zbatimit të marrëveshjes bilaterale, si dhe për involvimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në institucione të rëndësishme të auditimit në nivel rajonal dhe evropian. 

Auditori i Përgjithshëm i Republikës Çeke, Kala ka shprehur gatishmërinë e institucionit të tij për të thelluar bashkëpunimin ndërinstitucional përmes zhvillimit të aktiviteteve bilaterale si dhe duke ofruar ekspertizën në kuadër të Projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë”, i cili zbatohet nga Zyra Supreme e Auditimit e Polonisë.

Osmani e ka falënderuar Kala për përkrahjen e tij të vazhdueshme dhe ka ritheksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi bilateral me homologët Çekë në zhvillimin e mëtejmë profesional të personelit auditues të ZKA-së si dhe arritjen e standardit evropian të cilësisë së auditimeve, si parakushte për integrimin e ZKA-së në programet dhe organizatat rajonale dhe evropiane. 

 Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës dhe ajo e Republikës së Çekisë, në muajin maj të këtij viti, kanë nënshkruar memorandumin për bashkëpunim në fusha të rëndësishme profesionale midis dy institucioneve dhe synon shkëmbimin e praktikave të mira audituese, veçmas në lidhje me metodologjinë dhe procedurat e auditimit të jashtëm të sektorit publik; aktivitetet profesionale për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve institucionale e njerëzore; përmirësimin e komunikimit me palët e jashtme, si dhe shkëmbimin e përvojave përmes auditimeve paralele.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat