Nuk ka marrëveshje mes LDK-së dhe Vetëvendosjes

Aktuale

Nuk ka marrëveshje mes LDK-së dhe Vetëvendosjes

Më: 2 dhjetor 2019 Në ora: 14:20
Albin Kurti

(E plotësuar) -  Pa arritje të marrëveshjes për koalicion qeverisës ka përfunduar takimi i sotëm mes kryetarit të VV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa.

Përkundër negociatave afër dy orësh me një pauzë të shkurtër, dy liderët nuk arritën të nënshkruajnë marrëveshjen ashtu siç është deklaruar, pasi aty u shpërfaqën dallime të tjera në të cilat nuk pati pajtueshmëri. Dy krerët e partive thanë se ka avancime në diskutime, por marrëveshje ende jo.

Lideri i VV-së, Albin Kurti u shpreh se negociatat do të vazhdojnë, pasi ende ka dallime në disa çështje, por nuk i tregoi se cilat janë ato.

Kurti: Në negociatat tona ka avancim, por marrëveshje nuk kemi ende

“Në negociatat tona avancim ka, por marrëveshje nuk kemi ende për shkak se qartazi kemi gjëra për të cilat nuk jemi marrë vesh. Mirëpo, avancim në diskutimet që kemi bërë ka. E atëherë kur do të kemi marrëveshjen e plotë do të mund të shpalosim gjerë e gjatë. Përfundon takimi i sotëm dhe unë jam në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarin e LDK-së që ta përcaktojmë takimin e radhës sa i përket ditës dhe orës, që të vazhdojmë tutje drejt marrëveshjes”, tha Kurti.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa theksoi nevojën që ende të punohet të përafrimin e marrëveshjes, pasi janë disa çështje të cilat ende nuk kanë përafrim.

Mustafa: Sot nuk ka marrëveshje për koalicion

“Ne patëm një bisedë mjaft përmbajtjesore,  sepse pa biseda të tilla është vështirë që të arrihet një bashkëpunim i ardhshëm, i qëndrueshëm katërvjeçare. Natyrisht se ne kemi pasur pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës dhe çështjeve, të cilat janë harmonizuar deri më tani ndërmjet grupet tona punuese. Kemi dhe çështje të tjera, të cilat i kemi biseduar për të cilat do të punojmë që të arrijmë  përafrim ose qëndrime të përbashkëta, të cilat pastaj mund t’i ndihmojnë bërjes së koalicionit. Sot nuk ka marrëveshje për koalicion, ka marrëveshje që të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë dhe hulumtojmë rrugë që të përafrohemi në qëllimet tona. Dallimet tona do t’ju tregojmë kur t’i përafrojmë, përderisa ne po bisedojmë ato mbesin çështje tona, të cilat ne duhet t’i përafrojmë bashkërisht”, deklaroi Mustafa.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit nga KQZ-ja, partia fituese Lëvizja Vetëvendosje ka intensifikuar takimet me partinë e dytë, LDK-në për të formuar qeverinë e ardhshme. Derisa nuk u bë e ditur se kur do të jetë takimi i radhës, por u tha se për këtë do të njoftohen mediat.

Isa Mustafa në deklaratë për media pas takimit ka thënë se nuk është arritur sot marrëveshja mes tyre dhe Vetëvendosjes.

Ai ka theksuar se do të takohen në ditët në vijim.

***

Pas një pauze rreth 40 minutash, ka nisur takimi mes dy liderëve Albin Kurti dhe Isa Mustafa.

Takimi i parë i liderit të Vetëvendosjes dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës zgjati rreth një orë, por nuk solli marrëveshjen përfundimtare, teksa sërish po bëhen përpjekje për të arritur koalicionin e ardhshëm qeverisës.

***

Negociatat ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK’së që po zhvillohen sot në përpjekje për të arritur marrëveshjen për krijimin e Qeverisë së re, janë komplikuar pak.

Burime kanë bërë me dije se Vetëvendsosje i është përgjigjur kërkesës së LDK’së për postin e Presidentit me një kundërkesë- i do 7 ministri për vete, 3 është e gatshme t’ia japë asaj bashkë me zotimin se në të ardhmen do ta kenë edhe postin e Presidentit.

Në anën tjetër LDK është kundërpërgjigjur që ndarja e ministrive të bëhet 5 me 5 pasi posti i presidentit është vetëm zotim .

VV’së dhe LDK’së ndërkaq u ka ecur mirë puna e harmonizimit të programit.

Të dy palët kanë thënë se këtë e kanë bërë 100 përqind. Po ashtu posti i kryeparlamentarit do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërpritet takimi VV - LDK

Është ndërprerë per pak minuta takimi mes LDK-së dhe VV-së .

Kështru ka konfirmuar kryetari I VV-së Albin Kurti.

***

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është deklaruar para takimit me Isa Mustafën, ku pritet të finalizohet gjatë ditës së sotme marrëveshja mes LDK-së dhe VV-së për koalicion qeverisës.

Kurti para këtij takimi u ka thënë gazetarëve se tashmë janë pajtuar që t’i kenë 12 ministri dhe se sot do të vazhdojnë bisedimet me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën.

“Sot do t’i vazhdojmë bisedimet për marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës ku do t’i kemi 12 ministri në qeverinë time dhe këto bisedime do t’i vazhdojmë me profesorin  Isa Mustafa”, ka thënë ai.

Më tutje ai ka thënë se shpreson që sot do të merren vesh për 12 ministrat e rinj, ndërsa harmonizimin e programit e ka quajtur si pjesën më të vështirë të këtij koalicioni deri më tani.

“Uroj, shpresoj e besoj se sot ashtu siç jemi marrë vesh për programin do të merremi vesh edhe për ndarjen e posteve të 12 ministrive. Këto bisedime do të fillojnë tash dhe kur do t’i kemi këto marrëveshje do të ju njoftojmë”.

“Për bindjen time harmonizimi i programit ka qenë pjesa më e vështirë dhe nuk pres vështirësi në procesin e ndarjeve të posteve”, ka deklaruar Kurti..

I pyetur se a do të arrihet marrëveshje gjatë ditës së sotme ai ka thënë se nuk mund të flas edhe në emër të LDK-së.

“Marrëveshja është marrëveshje mes dy palëve kështu që nuk mund të flas edhe për palën tjetër”, ka përfunduar ai.

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka arritur në Kuvend të Kosovës, aty ku për pak pritet të arrijë edhe lideri i LDK-së Isa Mustafa, për të nënshkruar marrëveshjen për koalicion.

I pyetur nga gazetarët se a do të ketë marrëveshje sot, ai ka thënë se për këtë arsyeje janë aty.

Ndryshe, pak minuta më parë, Kurti se sot do të vazhdojnë bisedimet për kabinetin qeverisë, shpresojmë që do të arrijmë marrëveshjen për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv.

Në fund, vijnë emrat për ministri, ka deklaruar Kurti.

Takimi LDK-VV do të ndodhë në ora 14:00

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat