Nënkryetarja e VV-së tregon arsyen pse e fshehu postimin që shkaktoi “furtunë” në politikë

Aktuale

Nënkryetarja e VV-së tregon arsyen pse e fshehu postimin që shkaktoi “furtunë” në politikë

Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 13:43
Fatmire Kollçaku

Sot për të gjithë shqiptarët data troket në një ditë të çmuar. Kosova sot mbush 12 vjeç. Por duket se edhe në këtë ditë feste ku ka vend për bashkim, ka vend edhe për keqkuptime.

Vetëm dy ditë më parë, Kryetarja e parë e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku bëri një postim në rrjetin social Facebook ku citonte deklaratën e një analisti serb për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Citimi ishte i vendosur mes thonjëzave duke ia referuar kështu analistit, ndërsa komenti i nënkryetares së VV vazhdonte jashtë thonjëzave vetëm një hapësirë më poshtë.

Brenda pak orësh, postimi mori shumë komente, kryesisht negative. Komentuesit e konsideronin postimin një sulm ndaj UÇK-së dhe duke harruar të gjithë historinë që Kollçaku mbante pas vetes, sulmet i kishin të hapura, personale dhe madje me një fjalor të papranueshëm dhe denigrues.

Reagime pati edhe nga figura publike, përfshirë këtu edhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi i cili shkroi ndër të tjera:

“E pyes zonjën në fjalë: çfarë krimi ka bërë UÇK-ja? UÇK ka pasur vetëm një mision – dëbimin e Serbisë nga Kosova. UÇK ëndrrën e popullit të Kosovës e bëri realitet. Fituam lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin. Etiketimet e tilla për UÇK-në, projektin më madhor kombëtar, i kemi dëgjuar vetëm në Beograd dhe në Moskë”.

Në këtë postim, Thaçi i drejtohej Kollçakut për fjalët brenda citimit, duke dalë jashtë kontekstit të postimit të vërtetë.

Kollçaku ndërkohë për të mos lënë më hapësirë për keqkuptime, bëri një tjetër reagim në faqen e saj zyrtare ku kërkonte të lexohej postimi deri në fund.

Një kërkesë kjo e drejtë për disa arsye:

-Pikë së pari fjalët për të cilat Kollçaku akuzohej nuk ishin të sajat.

-Së dyti ajo e shpjegonte qartë, se mënyra sesi analisti serb e kishte piketuar Kurtin duke e konsideruar të rrezikshëm ishte një gjuhë urrejtjeje dhe jo për t’u marrë shembull.

-Së treti, postimi kishte marrë dhenë shumë më parë sesa Kollçaku ta publikonte në faqen e saj, kryesisht nga njerëz që e kishin konceptuar deklaratën si pozitive ndaj Kurtit. Gjë të cilën Kollçaku e sqaronte që duhej shmangur pasi të konsiderosh rrezik dikë, nuk është pozitive, përkundrazi.

Ndërkohë ditën e djeshme, Kollçaku e fshehu postimin e parë. Ky veprim nga shumë media, u konsiderua një tërheqje e nënkryetares së VV. Por në një takim që gazetarja e Albeut Oliverda Allmuça pati me Kollçakun kjo e fundit mohoi zyrtarisht që të ishte kjo arsyeja.

Ajo pohoi se në fakt arsyeja pse e bëri postimin (në gjuhën e Facebook) “Only me”, ku postimin e sheh vetëm personi i cili moderon faqen, ishte për shkak të komenteve denigruese dhe gjuhës së papranueshme. Ajo shtoi se iu duk e pakëndshme që personat që e ndiqnin faqen e saj të lexonin të tilla komente të pahijshme. Për ta vërtetuar në galeri gjeni screenshootin me postimin i cili shihet vetëm nga Kollçaku.

Por pse situata u bë serioze dhe i kaloi caqet e etikës, jo vetëm nga komentuesit, por edhe nga mediat?

Image
Postimi i Kollçakut


Kërcënimet kundrejt Kollçakut arritën deri aty sa t’i rrezikohej jeta, kjo vetëm për shkak të nxjerrjes nga konteksti të një deklarate që e tregonte qartë të vërtetën e cila në këtë rast u shtrembërua qëllimisht dhe politikisht. Sulmet arriten deri në sferën personale duke thyer kështu çdo kod etike dhe profesionalizmi.

Fjala që ndezi më shumë debat në rrjete sociale, ishte padyshim UÇK por këtyre fjalëve Kollçaku iu përgjigj vetëm duke vendosur në “coverin e saj” logon e UÇK-së duke treguar kështu shumë thjeshtë marrëdhënien e saj me gjithë historinë dhe respektin sublim për luftën e shenjtë të UÇK-së.

Pa iu përgjigjur askujt personalisht, dhe duke mbajtur një profil të rezervuar Kollçaku vendosi të publikonte me një galeri të gjitha fotografitë e saj teksa respektonte dhe përulej përballë të rënëve duke treguar kështu qartë, se po akuzohej padrejtësisht.

Duhet kuptuar se në një rrjet social, ku viraliteti nxit shpeshherë një qarkullim masiv të informacionit, duke humbur kështu burimin primar dhe të vërtetën, hapësira për keqkuptim është e madhe.

Prandaj media në këtë rast kishte përgjegjësinë më të madhe dhe duke respektuar parimet, duhet të kishte publikuar postimin e plotë dhe jo të gjysmuar siç edhe ndodhi, duhej të kontaktonte me vetë personin, në këtë rast Kollçakun dhe sigurisht duhej të raportonin dhe jo interpretonin siç realisht ndodhi.

Me fjalinë e saj pas citimit Kollçaku shkruante: “Në fakt të “kërcënuar” mund të ndihen vetëm ata që flasin dhe sundojnë me veprimet dhe GJUHËN E URREJTJES.”

Dhe duket në fakt ironike, sesi i ka paraprirë gjuhës së urrejtjes që ndezi vetëm një nxjerrje jashtë kontekstit.

Ndërkohë duhet theksuar, se ka pasur edhe media të cilat e kanë kuptuar drejt postimin në fjalë, duke e trajtuar paanshmërisht, duke shmangur kështu manipulimet.

Në profilin e Kollçakut shumë figura publike i kanë dalë në mbrojtje, duke e konsideruar gjithë situatën një sulm të organizuar politik dhe "goditje të ulët".

Dhe në këtë ditë të çmuar, Kollçaku ka vendosur të bëjë një reagim të fundit për këtë çështje teksa ndër të tjera pranon se është kërcënuar me jetë dhe kërcënon me padi ata që zgjodhën të mos ruajnë caqet e etikës.

Image

 

“Gëzuar Dita e Pavarësisë, njerëz të mirë të vendit tim! Lavdi dëshmorëve të kombit! E për kërcënuesit dhe keqdashësit, po e ripërsëris edhe njëherë të vetmen gjë që e thashë unë, si reagim ndaj një shkrimi, por që u detyrova ta bëj privat për t’i ndalur ata që vazhduan të kërcënojnë edhe me vdekje!!!!! Askush nuk duhet të ketë frikë nga Qeveria Kurti. NË FAKT TË “KËRCËNUAR” MUND TË NDIHEN VETËM ATA QË FLASIN DHE SUNDOJNË ME VEPRIMET DHE GJUHËN E URREJTJES. P. S. Me disa nga ju që e shkaktuat këtë situatë, Shihemi në gjyq.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat