Kryetarja e Kushtetueses vizitë pune në SHBA

Aktuale

Kryetarja e Kushtetueses vizitë pune në SHBA

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 10:01
Pamje nga takimi

Me ftesë të organizatës amerikane Federalist Society for Law and Public Policy Studies dhe si pjesë e delegacionit të rrjetit evropian të gjyqtarëve, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, dhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, po qëndrojnë për një vizitë pune disaditëshe në Shtetet e Bashkuara.

Rama-Hajrizi dhe gjyqtarja Caka-Nimani vizitën zyrtare në SHBA e filluan në kryeqytetin Uashington, ku zhvilluan takime me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, përgjegjës për mbikëqyrjen e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit në shtetet e Evropës juglindore dhe qendrore.

Në vijim të vizitës në Shtetet e Bashkuara, Rama-Hajrizi dhe Caka-Nimani qëndruan në qytetin amerikan Atlanta, ku morën pjesë në Simpoziumin Transatlantik 2020 për Ligjin mbi të Drejtat e Njeriut, që u organizua nga Federalist Society for Law and Public Policy Studies, në bashkëpunim me Fakultetin Juridik të Universitetit Emory.

Në kuadër të simpoziumit të organizuar me gjyqtarë dhe akademikë amerikanë, Rama-Hajrizi dhe Caka-Nimani iu drejtuan pjesëmarrësve me prezantimet e tyre përkitazi me çështjet e lirisë së shprehjes dhe gjyqësorit.

Gjatë vizitës në Atlanta, përfaqësueset nga Kosova u pritën në takim nga kryetari i Gjykatës Supreme të Gjeorgjisë, Harold Melton, si dhe nga gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të këtij shteti federal amerikan, me të cilët diskutuan çështje të ndryshme të interesit reciprok në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat