PSD: Nëse marrëveshja përbën shkelje kushtetuese, konsekuencat duhet të ndiqen deri në fund

Aktuale

PSD: Nëse marrëveshja përbën shkelje kushtetuese, konsekuencat duhet të ndiqen deri në fund

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 21:00
Ilustrim

Partia Socialdemokrate, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se ka zbuluar një marrëveshje sekrete midis Thaçit, atëherë kryeministër, dhe Sekretarit të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ku FSK do të shkojë në këtë pjesë të territorit vetëm pas koordinimit me KFOR-in.

PSD, përmes një njoftimi ka thënë se, nëse, letërkëmbimi Thaçi-Rasmussen e ka statusin e marrëveshjes ndërkombëtare, atëherë kjo marrëveshje përbën shkelje e Kushtetutës.

“Deri më tani Qeveria e re nuk ka marrë qëndrim tjetër karshi rolit të forcave të armatosura të Kosovës në veri. Veç kësaj, Kurti nuk po insiston as në vlerësimin e kushtetueshmërisë së saj. Nga çfarë kuptuam prej konferencës së jashtëzakonshme, denoncimi i tij ishte veprim transparence. E përgëzojmë për këtë”, thuhet në komunikatë.

Sipas PSD, nëse marrëveshja përbën shkelje kushtetuese, konsekuencat duhet të ndiqen deri në fund.

“Ky denoncim nuk duhet të ndalet vetëm me grindjen personale e sulmin mediatik ndaj Thaçit. Marrëveshja duhet të shkojë në Gjykatë Kushtetuese për interpretim, e Kurti si kryeminstër duhet ta anulojë atë”, thuhet më tej.

Po ashtu PSD konsideron se Kurti e ka ndryshuar dukshëm qëndrimin e tij karshi dialogut me Serbinë pas konferencës së Mynihut.

“Kjo sepse aty është kuptuar që përveç Kryeministrit Kurti, pjesë e këtij dialogu do të jetë edhe Presidenti. Është kuptuar që ai nuk po mënjanohet dot. Pa këtë kontekst, letra si e vetme duket absurde. Nëse nuk e kërkon shkarkimin, as nuk e gjykon si të dëmshme përmbajtjen e marrëveshjes, si arsyetohet urgjenca e lajmit e konferenca e jashtëzakonshme. Në fakt, konflikti Thaçi-Kurti është konflikt për rolin qendror bashkëpunues. Me kë punojnë amerikanët, kjo është çështja-kjo është lufta”, thekson PSD.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat