Kosovës i del në ndihmë Holanda në ‘luftën’ kundër koronavirusit, dërgon aparate e maska të oksigjenit

Aktuale

Kosovës i del në ndihmë Holanda në ‘luftën’ kundër koronavirusit, dërgon aparate e maska të oksigjenit

Më: 22 mars 2020 Në ora: 21:00
Foto ilustrim

Ambasada e Kosovës në Holandë, ka bërë të ditur për disa ndihma mjekësore që janë nisur për në Kosovë.

Ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci, ka bërë të ditur se një donacion humanitar ka mbërritur në Kosovë dhe nesër do të dorëzohet në Klinikën Infektive në QKUK.

Përmes një njoftimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Greiçevci ka bërë të ditur se kjo ndihmë është bërë në mënyrë që sado pak t’i ndihmojë Kosovës në përballjen me pandeminë COVID-19.

“Donacioni përmban aparate dhe maska të oksigjenit, maska mbrojtëse kirurgjikale, shtretër për bartje të pacientëve, rroba mbrojtëse për infermiere, tubacione oksigjeni, dorëza mbrojtëse, kateterë, etj”, ka treguar ambasadori Greiçevci.

Theksojmë se në Kosovë aktualisht janë 33 persona të prekur me koronavirus, kurse gjatë së dielës është regjistruar edhe vdekja e parë nga ky virus.

Njoftimi i plotë i ambasadorit Greiçevci, pa ndërhyrje:

Një donacion humanitar mjekësor nga Holanda ka mbërritur në Kosovë

Për t’i zbutur sadopak nevojat urgjente të institucioneve shëndetësore në Kosovë, në përballje me pandeminë COVID-19, Ambasada e Kosovës në Holandë ka organizuar nisjen e një donacioni me materiale mjekësore, me destinim QKUK-në në Prishtinë. Donacioni, pas shumë pengesave gjatë rrugës, ka mbërritur në Kosovë, dhe nesër do t’i dorëzohet Klinikës Infektive në Prishtinë.

Donacioni përmban aparate dhe maska të oksigjenit, maska mbrojtëse kirurgjikale, shtretër për bartje të pacientëve, rroba mbrojtëse për infermiere, tubacione oksigjeni, dorëza mbrojtëse, kateterë, etj

Me këtë rast, dëshiroj t’i falënderoj miqtë e Kosovës në Holandë, nga Ambulance voor Kosovo, për donacionin dhe kompaninë Mitrofresh për ndihmën për magazinimin e tyre.

Një falënderim i veçantë shkon edhe për ekipin e Ambasadës së Kosovës në Hagë, për përkushtimin e tyre, si dhe për institucionet e Kosovës për kompletimin e shpejtë të dokumentacionit dhe dhënien e lejes për hyrjen e kontingjentit humanitar.

Të gjithë atyre që janë prekur nga kjo sëmundje dhe atyre që qëndrojnë të izoluar, dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, u dëshirojmë tejkalim sa më të shpejtë dhe të lehtë të kësaj pandemie, e cila ka prekur rëndë edhe Holandën, ku edhe ne si diplomatë të Kosovës qëndrojmë të izoluar, por edhe aktivë njëkohësisht, për t’iu dalë në ndihmë komunitetit tonë këtu.

Kosova nuk është e vetmuar dhe, së bashku me miqtë e saj, do ta tejkalojë edhe këtë sfidë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat