Kryetari Peci takon shefin e EULEX, Wigemark – flasin për situatën politike dhe zvarritjen e seancave si pasojë e coronavirusit

Aktuale

Kryetari Peci takon shefin e EULEX, Wigemark – flasin për situatën politike dhe zvarritjen e seancave si pasojë e coronavirusit

Më: 30 qershor 2020 Në ora: 16:04
Foto ilustrim

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka pritur sot në takim, shefin e EULEX-it, në Kosovë, ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark.

Kryetari Peci, shprehu gatishmërinë, që në kuadër të kompetencave ligjore, të vazhdoi bashkëpunimin me shefin e ri të EULEX-it, ambasadorin Wigemark.

“Po ashtu, ai e njoftoi Wigemark me përvojën e mirë që Gjykata Supreme ka me monitoruesit e këtij misioni”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit u fokusuan në problematikat që po e përcjellin gjyqësorin, nisur nga gjendja jo-stabile politike në vend e deri te zvarritjet e seancave si pasojë e pandemisë me Covid 19.

“Kosova është vend i vogël dhe nga situatat politike jo-stabile, po atakohemi edhe ne si sistem gjyqësor. Jo në kuptimin e drejtpërdrejt, por në kuptimin e zvarritjes së proceseve, si ai i reformave, i mbështetjes financiare, ndryshimeve ligjore etj”, potencoi kreu i Supremes.

Ndërkaq ambasadori Wigemark, mes tjerash, ngriti si shqetësim edhe çështjen e zvarritjes së gjykimeve në rastet e profilit të lartë, si pasojë e pandemisë, dhe rrezikun që çështjet të kthehen në pikën zero, pas kalimit të afatit tre mujor, të mos-mbajtjes së asnjë seance.

Kjo, sipas tij, ndikon në efikasitetin e përgjithshëm të gjyqësorit dhe nënkupton zvarritje të rasteve. Kryetari sqaroi se ligjvënësi nuk ka paraparë situatat e jashtëzakonshme, siç është kjo me pandemi, ndaj, u dakordua që të shqyrtoi mundësitë e gjetjes së alternativave që ndihmojnë në procedimin e këtyre rasteve pa zvarritje, dhe në përputhje me ligjin dhe Kodin e Procedurës Penale.

Kryetari Peci dhe ambasadori Wigemark diskutuan edhe për procesin e vetingut, për lëndët e grumbulluara në gjykata, me theks tek ato në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, për integrimin e veriut të Mitrovicës në sistemin gjyqësor etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat