Gjatë kohës së pandemisë në Kosovë janë shuar 255 biznese, shumica prej të cilave biznese individuale.
Bizneset e vogla janë ato që më së shumti po e ndjejnë krizën ekonomike të pandemisë, disa prej të cilave kriza u ka kushtuar me mbyllje.
Edhe biznesi i Rudina Qosjes po përjeton krizën më të madhe që nga themelimi i saj para tri viteve.
“Kemi pasur rënie qysh nga muaji mars kur ka filluar kriza e pandemisë. Kjo është kriza më e madhe që po përjetojmë. Jemi detyruar të reduktojmë edhe stafin por edhe ne tjerët rrogat i marrim me vonesa”, deklaron Rudina Qosje.
“Përkrahje nga qeveria nuk kemi aspak. Është qesharake shumë që kanë ndarë për ne. Por edhe më keq që ne kemi marrë vetëm pjesën e parë ndërsa pjesën e dytë që është dashur ta marrim moti nuk e kemi marrë akoma. Po e kalojmë edhe muajin gusht e nuk ka shpresë që do të dalin ato të holla”, shton me tej sipërmarrësja.
Sikurse biznesi i Rudina Qosjes në vështirësi janë edhe shumë biznese tjera.
Nga 13 marsi deri në 28 korrik në Kosovë janë shuar 255 biznese.
Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nga 255 bizneset e shuara 235 prej tyre janë biznese individuale.
Kryeministri Avdullah Hoti ka premtuar se më të hyrë në fuqi ligji për rishikimin e buxhetit do të rifilloj kryerja e pagesave nga pakoja emergjente.