Kurti: Hera e parë që një qeveri e Kosovës po merr anë në zgjedhjet në SHBA

Aktuale

Kurti: Hera e parë që një qeveri e Kosovës po merr anë në zgjedhjet në SHBA

Më: 27 shtator 2020 Në ora: 12:40
Albin Kurti

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka përmendur “rrezikun e trefishtë” që sipas tij ka mbërthyer situatën e brendshme politike në Kosovë.

Ai si rrezik e ka përmendur procesin e marrëveshjeve dhe të diskutimeve me Serbinë, ku Kosova po “nënshkruan gjithçka, e po e hap çdo temë”.

“Është hera e parë që një qeveri e Kosovës merr anë në zgjedhjet amerikane dhe rreshtohet qind për qind pas njërit kandidat e kundër tjetrit, a thua se e dinë paraprakisht se kush do të fitojë. Jo vetëm që rreshtohen në fushatë pas Trumpit, por pranojnë të nënshkruajnë koncesionet më të mëdha të Kosovës që i janë bërë Serbisë ndonjëherë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, si ka thënë kreu i Vetëvendosjes, rreziku i parë është pandemia dhe mënyra e menaxhimit të saj.

“Rreziku i parë është pandemia me rikthimet e furishme, efektin rrënues në ekonomi dhe shëndet. Të mos harrojmë se mbi 600 veta kanë vdekur, këta kanë qenë familjarë tanë. I kemi humbur mbi 600 jetë për pak muaj”, ka thënë ai në mbledhjen e përgjithshme të LVV-së e cila është mbajtur online.

Ai i ka quajtur mjekët heronj, por sistemin e papërgatitur.

“Është e vërtetë që qeveria jonë relaksoi masat, por këtë e bëmë kur patëm pak raste dhe ndërmorëm relaksim gradual. Numri i të infektuarve u rrit vetëm 5 javë më vonë, pasi e rrëzuan qeverinë tonë”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, edhe vetë politikanët u infektuan, pasi që nuk respektuan masat.

“Ky keqmenaxhim i pandemisë po i kushton Kosovën”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për ndikimin në ekonomi, duke thënë se qeveria nuk po paraqet asnjë plan e asnjë masë.

“Përkundrazi bën lëvizje të paarsyeshme, duke prekur fondin e kursimeve. Ky hap i rrezikshëm nuk i ndihmon njerëzit. Sepse shumica ka shumë pak kursime pensionale… Ky veprim synon vetëm t’ia hapë qeverisë rrugën për të vjedhur e keqpërdoruar edhe kursimet pensionale”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se rreziku i tretë është krijimi i Gjykatës Speciale. Ai tha se nuk janë zhvillime të reja arrestimet e veteranëve të UÇK-së nga Specialja, duke shtuar se para pesë vjetësh i kanë parashikuar këto ngjarje kur është votuar nga PDK e LDK, sipas tij.

“Mirëpo presidenti thoshte se ata që janë kundër gjykatës janë tradhtar, sepse ka shpresuar se gjykata i merr luftëtarët e tjerë e jo atë dhe mendjen e ka pasë si të bëhet president për vete e jo çka do ndodhë me UÇK-në”, tha ai.

“Sot nuk mund ta ndalim atë gjykatë”, tha Kurti, ndërsa shtoi se me VV-në në Qeveri interesat e veteranëve do të mbroheshin.

“Kush po i mbron tash ushtarët e UÇK-së? Është për të ardhë keq se askush nga qeveria, presidenca, institucionet tona nuk po e qelë gojën. Kur po arrestohen në mes të Prishtinës veteranët krerët e institucioneve po heshtin”, tha kreu i VV-së.

Ai thotë se vetëm VV-ja mund t’i mbrojë veteranët sepse sipas tij, janë subjekti më patriotik e, “PDK-ja nuk i mbron sepse e ka hallin e pasurive të veta të paligjshme, LDK-ja nuk i mbron sepse asisoj e ka drejtimin politik”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat