“Shko Hashim, e nuk ke shpëtim”, ja për çka e kishin akuzuar rëndë Thaçin dy njerëzit kryesor të Vetëvendosjes

Aktuale

“Shko Hashim, e nuk ke shpëtim”, ja për çka e kishin akuzuar rëndë Thaçin dy njerëzit kryesor të Vetëvendosjes

Nga: P.R Më: 28 shtator 2020 Në ora: 18:08
Ilustrim "Bota sot"

Arrestimet e fundit nga Gjykata Speciale në Kosovë kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik në Kosovë.

Gjatë ditë së sotme, ka përfunduar seanca e parë gjyqësore e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, para Gjykatës në Hagë.

Salih Mustafa ka vendosur që të mos deklarohet të hënën rreth fajësisë.

“Nuk do të deklarohem sot, do të konsultohem me avokatin”, ka thënë ai gjatë paraqitjes së parë në Hagë, para gjyqtarit të procedurës paraprake.

E njëri ndaj të cilit është propozuar aktakuzë është edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, aktakuza e të cilit ende nuk është konfirmuar.

Por kohë më parë, dy njerëzit e fuqishëm në Lëvizjen Vetëvendosje kishin hedhur akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit.

Madje lideri i VV-së, Albin Kurti, i kishte bërë thirrje Thaçit që vullnetarisht të shkojë në Gjykatë Speciale

“Arritjet dhe sukseset që Kosova i ka pasur falë sakrificave të popullit tonë e të UÇK-së, por edhe falë ndihmës së miqve ndërkombëtarë, u përpoqe t’ia përshkruash vetvetes. Por, kur erdhi puna për të mbajtur përgjegjësi, e mohove UÇK-në, e le në baltë popullin, dhe i tradhtove ata që e mbështetën tradicionalisht Kosovën në arenën ndërkombëtare. Prandaj, ka ardhur momenti që ti të shkosh, atje ku po të thërrasin, në kurthin që vetë ia ngrite ushtrisë çlirimtare, duke ua përdredhur duart deputetëve të partisë tënde e duke na shkelur të gjithëve më 3 gusht 2015. Shko Hashim”, kishte shkruar Kurti.

“Burgu nuk është tragjedi dhe fatal. Sidomos ky i Hagës. Besoj që Ramushi, Fatmiri e Batoni të kanë treguar: aty ka televizor, ushqim të mirë tre herë në ditë, salla për rekreacion dhe libra të panumërt në bibliotekë të pasur. Nuk të ndodh asgjë e keqe atje, përveç faktit që do të kesh kohë të përballesh me ndërgjegjen tënde, të cilën kushedi sa vite ka që nuk e takon më. Shko Hashim. Prokuroria e gjykatës speciale i është sulur komandatëve të zonave, brigadave, batalioneve dhe të njësive tjera. Mos e lejo këtë. Dilju zot atyre. Mbroji ata. Mbroje UÇK-në. Sepse nuk është korrekte të marrësh meritat 20 vjet e përgjegjësinë asnjë ditë. Sa herë të është dashur të mburresh para shqiptarëve në mediat e Prishtinës dhe Tiranës, je shfaqur si luftëtar i shquar i UÇK-së. E kur të është dashur të flasësh për media ndërkombëtare, ke thënë se ke qenë larg linjave të frontit e fushëbetejave të luftës. Si mund të të durojmë tash kur luftëtarët e vërtetë po i thërret prokuroria që e solle ti? Prandaj shko vetë. Shko Hashim.Mos e fut Kosovën në gjeostrategjitë e Rusisë e taktikat e Serbisë. As mos e mendo ta japësh veriun si kapar apo të na bosnjëzosh me ‘Zajednicë’ për ta shpëtuar veten. Kosova, shtetësia dhe territori i saj, duhen mbrojtur nga pazaret e jo të shtyhen drejt tyre. Mos ia rëndo punën vetes duke e hedhur Kosovën në pazar e duke joshur Serbinë dhe Rusinë. Mos ia rëndo punën Kosovës duke u vendosur kundër Gjermanisë e Britanisë, por edhe kundër qëndrimeve afatgjata të administratës amerikane e të NATO-s. Nuk është gjeopolitika bastore. Shko Hashim. Shko në Hagë.Ne besojmë që ti nuk je fajtor për luftë, ashtu si çdo person i angazhuar për çlirim, qoftë në front, e qoftë larg frontit si puna jote. Por ne besojmë se ti je fajtor për shumëçka të keqe që na erdhi në paqe, në dy dekadat e fundit. Mos e lër popullin të vuajë, mos e lër Kosovën të paguajë për mëkatet e tua. Shko Hashim”, kishte shrkuar ndër tjash Kurti, në thirrjen ndaj Thacit për të shkuar në Gjykatë Speciale.

Madje Kurti e kishte akuzuar Thaçin se ai po qëndron në Prishtinë, e shokët e tij po i dërgon në Hagë.

“Sepse, si po e mendon këtë punë Hashim? Dhjetëra luftëtarë e pjesëtarë të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa e deri te Sokol Dobruna, Kadri Veseli e Xhavit Haliti të shkojnë në Hagë, kurse ti në Prishtinë të jesh president me Baton Haxhiun?! Shko ti në vend të të gjithë atyre Hashim. Shko në Hagë. Për ata. Për vete. Shko. Mos e malltreto popullin dhe shtetin, shokët dhe vetveten. Shko ti”, përfundonte thirrjen e tij Albin Kurti.

Njëjtë si shefi i tij, edhe Rexhep Selimi e kishte akuzuar rëndë Thaçin.

Madje para disa vitesh, Selimi kishte thënë së Hashim Thaçi nuk ka shpëtim nga Gjykata Speciale.

“Unë nuk i besoj që nuk është intervistuar Edhe unë kam mundur të mos e bëj publike. Gjykata askujt nuk ia bën publike. Varet nga personi që do ta bëjë ose jo publike intervistimin, nëse ka aktakuzë sigurisht se do të jetë publike. Ka disa gjëra që mund të negociohen, e disa jo. Thaçi mund të prolongojë, por jo të shpëtojë, por unë nuk i besoj që nuk është intervistuar”, kishte thënë Selimi.

Sipas tij, Hashim Thaçi është në panik nga Gjykata Speciale.

“Unë po e shoh njëfarë paniku të tij për Gjykatën Speciale, por çfarë paradoksi. Sot, në këtë situatë ku jemi, unë kam qëndrimin e njëjtë për Gjykatën Speciale sikur e kam pasë në 2015-ën, është e padrejtë ndaj U⌂K-së edhe sikur asnjë vendim të mos marrë kundër UÇK-së, vetë formimi i kësaj gjykate është kundër UÇK-së. Por, interesant tash më shumë ankohen ata që e kanë sjellë gjykatën sesa ne që e kemi kundërshtuar në atë kohë”, deklaronte Rexhep Selimi.

E Selimi e kishte akuzuar Thaçin se i kishte bërë presion që mos të flas në Gjykatën Speciale, në kohën kur Selimi ishte intervistuar.

“Ka pasur një presion ndaj meje që unë të heq dorë dhe të mos flasë në Gjykatën Speciale. Me Thaçin nuk kam pasur komunikim të drejtpërdrejt por porosi kam pasur nga të gjitha anët që të mos flasë atje [Gjykatën Speciale]. Kam pasur porosi nga Thaçi dhe njerëzit rreth tij që është më mirë të mbrohemi në heshtje. Por nuk e ka bërë vetëm në adresë time por ka bindur disa të tjerë për të cilët jam i sigurt se ka folur vet atje…Ai më së gjati ka folur në Speciale, katër ditë”, kishte thënë ndër të tjerash Rexhep Selimi.

“Ai u ka thënë bashkëluftëtarëve që të mbrohen në heshtje në mënyrë që ai vet kur ka shkuar në Hagë ka folur për ta”, kishte deklarua Rexhep Selimi kohë më parë, shkruan “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat