PDK në Prishtinë kërkon zbatimin e vendimit për lirimin e qytetarëve nga pagesa në Trafikun Urban për katër muajt e ardhshëm

Aktuale

PDK në Prishtinë kërkon zbatimin e vendimit për lirimin e qytetarëve nga pagesa në Trafikun Urban për katër muajt e ardhshëm

Më: 22 nëntor 2020 Në ora: 13:43
Foto nga vendi i ngjarjes

Sot, Partia Demokratike në Prishtinë ka mbajtur konferencë për media, ku ka kërkuar të zbatohet vendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës për lirimin e qytetarëve nga pagesa e transportit publik për katër muajt e ardhshëm.

Asamblisti i PDK-së në komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, tha se nga data 11 nëntor propozimi i PDK-së është vendim, pasi u votua nga shumica e asamblistëve dhe si i tillë duhet zbatohet nga kryetari i komunës së Prishtinës,  siç e obligon neni 12 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

“Në këtë çast që po flasim, komuna ka të pashpenzuar 60 % të buxhetit të saj. Pra, ky është argument i mjaftueshëm që të largohen qytetarët nga pagesa në Trafikun Urban dhe koston e qytetarëve ta subvencionoj komuna e Prishtinës përmes buxhetit që nuk e ka shpenzuar”, theksoi Retkoceri.

Nënkryetari i PDK-së në Prishtinë, Ilirik Musliu, shprehu shqetësimin për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit në kryeqytet, marrë parasysh edhe rrezikun që u kanoset qytetarëve nga virusi COVID-19.

“Në fillim të këtij muaji ne propozuam ofrimin e transportit publik falas nga muaji nëntor deri në muajin mars për qytetarët që udhëtojnë në Prishtinë, gjë që do të ndikojë në uljen e qarkullimit të veturave dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit. Kjo masë do të vlejë për të gjitha linjat dhe për të gjithë qytetarët pa përjashtim duke i nxitur ata ta shfrytëzojnë transportin publik dhe jo veturat private”, tha ai.

Propozimi për lirimin e qytetarëve nga pagesa në Trafikun Urban i paraqitur nga asamblisti i PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, në seancën e Kuvendit Komunal më 11 nëntor u aprovua nga asamblistët me 22 vota për, 7 kundër dhe një abstenim.

PDK në Prishtinë konsideron se zbatimi i këtij vendimi shkarkon trafikun brenda qytetit, mbron ambientin nga ndotja dhe kursen paratë e qytetarëve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat