Kraki: Shtet shqiptar kurrë s’bëmë, por ja çka duhet të bëjmë urgjentisht

Aktuale

Kraki: Shtet shqiptar kurrë s’bëmë, por ja çka duhet të bëjmë urgjentisht

Nga: A.Zh Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 22:02
Nezir Kraki

Profesori dhe ligjëruesi në Universitetin e Parisit Nezir Kraki, ka thënë se që nga data 28 nëntor 1912, shqiptarët kurrë s’u morën vesh rreth një vizioni apo projekti të përbashkët.

Ai ka thënë se dy shtetet shqiptare sot janë më të vonuarat në Evropë, pa vizione dhe të prira nga udhëheqës të paudhë, përcjell Bota sot.

Kraki ka kërkuar që urgjentisht Kosova dhe Shqipëria të rigjejnë njëra-tjetrën pranë një projekti të madh e të palëkundshëm.

Reagimi i plotë i tij në Facebook:

28 Nëntori 1912 është data kur shqiptarët vendosën të bënin shtet. Ishte vizion i qartë në ato kohë të turbullta.

Nga ajo datë e deri sot asnjëherë më shqiptarët s’u morën vesh rreth një vizioni apo projekti të përbashkët.

Sot me zhgënjim na duhet të pranojmë që shtet kurrë s’bëmë sepse jemi veç shtet-prishës të ndarë e të pangopur. Të shitur e të stërshitur si kurrë më parë.

Sot i kemi 2 shtete shqiptare dhe për çudi këto janë 2 shtetet më të vonuara n’Evropë, janë dy vrima të zeza që nxihen e nxihen, pa vizione e pa qëllime, të prira nga udhëheqës të paudhë.

Sot Shqipëria e turpëron çdo shqiptar sepse është kthyer në ferr e burg për secilin që dora e partisë-shtet s’e ushqen. Shqipëria sot është vendi që duhet lëshuar jo vendi që të pret.
Për Kosovën as që mund të flitet. Kjo Kosovë që nga autonomia kaloi n’pavarësi e nga pavarësia n’autonomi. Mungesë vizioni pra. Mungesë projekti të përbashkët.

Sot duhet të mbajmë zi për dështimet tona dhe të turpërohemi për dhunimin e vizionit të burrave të asaj dite n’Vlorë.

Urgjentisht na duhet ta rigjejmë njëri-tjetrin rreth një projekti të madh që as vitet as shekujt s’mund ta lëkundin. Se nuk ka vizion as shtet nga bandat shtet-prishëse as nga llavat me ujq të pangopur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat