Agjencia Kundër Korrupsionit do ta ndryshojë emrin, Selimi prezanton projektligjin e ri

Aktuale

Agjencia Kundër Korrupsionit do ta ndryshojë emrin, Selimi prezanton projektligjin e ri

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 12:29
Selim Selimi

Ministria e Drejtësisë e ka prezantuar projektligjin synon ta reformojë Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Ministri i kësaj ministri, Selim Selimi, në një konferencë për medien ka thënë se AKK-ja me projektligjin e ri do të quhet Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

Selimi ka thënë se ky projektligj do ta ndryshojë kornizën ligjore të kësaj agjencie.

“Është një projektligj i cili e prek rregullimin e Agjencisë Kundër Korrupsion, që ende quhet kështu derisa të hyjë ligji në fuqi, e cila do të quhet Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Përkundër shumë aktiviteteve, Ministria e Drejtësisë fokus të veçantë i ka dhënë kornizës ligjore dhe normative”, ka thënë Selimi

Më tutje, Selimi ka thënë se për këtë projektligj i kanë marrë parasysh edhe rekomandimet e organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare.

“Grupi punues në përpilimin e draftit ka marrë parasysh komentet dhe rekomandimet nga mekanizma dhe raporte të ndryshme, qofshin këto organizata vendore apo ndërkombëtare. Janë të trajtuara të gjitha çështjet që u referohen pengesave në zbatim nga ana e organit zbatues dhe atyre çështjeve që nuk kanë qenë të mbuluara me dispozita përkatëse ligjore”, ka deklaruar Selimi, duke shtuar se kjo agjenci do të këtë kompetenca të qarta për luftimin e korrupsionit.

“Përmes këtij projektligji, Agjencia mveshet me kompetenca të qarta në funksion të parandalimit të korrupsionit, duke përcaktuar përfundimisht një kornizë efektive antikorrupsion”, është shprehur Selimi.

Ndërsa drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ka thënë se me projektligjin e ri kjo agjenci do të ketë më shumë funksion parandalues sesa hetues.

Ai ka theksuar se me ndryshimet e bëra, do të shtohet edhe lista e zyrtarëve që do të duhet ta deklarojnë pasurinë e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat