Dëshmia me plot akuza e Ibrahim Kelmendit, Gjykata Speciale nuk e mohon që...

Aktuale

Dëshmia me plot akuza e Ibrahim Kelmendit, Gjykata Speciale nuk e mohon që...

Nga: P.R Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 20:56
Kelmendi dëshminë e tij hedh akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, Azem Syles, Xhavit Halitit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit, e shumë personave tjerë

Ish njëri nga udhëheqësit e LPK-së, Ibrahim Kelmendi ka bërë të ditur se i ka dërguar Prokurorit të Specializuar, siç thotë ai “Dëshmi e vetë-vullnetshme, publike, për ZPS-në e Republikës së Kosovës”, dëshmi kjo prej 65 faqesh.

Ibrahim Kelmendi, qysh në fillim të kësaj dëshmie ka treguar arsyet që sipas tij, e kanë detyruar ta bëjë një gjë të tillë.

“Për shkak të irritimit që po më shkakton fushata e orkestruar, e cila ka marrë përmasat e një lufte speciale, diverzive, kundër institucioneve të Drejtësisë së Republikës së Kosovës – Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Dhomave të specializuara (DHS), po e ndiej për obligim qytetar dhe patriotik të ofroj këtë dëshmi, me shpresë se ZSP-ja do ta merrë parasysh. Qysh në fillim dëshiroj të shpreh falënderimin ndaj BE-së dhe SHBAvë, që u angazhuan me kaq përkushtim, duke harxhuar shumë financa e kuadro profesioniste, për t’i krijuar këto institucione, të cilat do të hetojnë e gjykojnë akuzat që i përmban Raporti i parlamentarit zvicëran Dick Marty. [Për ata që nuk e dinë, ky Raport është votuar nga Këshilli i Europës (KE), më 7 janar 2011. Ndërsa më 25 janar 2011 është votuar rezoluta për të filluar hetimet e atyre akuzave.]1 Marionetat e shërbimeve nacionaliste serbe, ruse e simotrave të tyre, janë duke zhurmuar tani në mënyrë të orkestruar kundër ZPSsë dhe DHS-së, me qëllim të nxitjes së trazirave të turmave injorante në Kosovë, të cilat, fatkeqësisht, gjithandej bien kollaj pre e luftërave speciale të shërbimeve armiqësore, por edhe të teorive të komploteve. Kjo fushatë është anti Kosovë dhe anti Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)!”, shkruan Kelmendi në dëshminë tij dërguar Gjykatës Speciale.

Ndër tjerash, Kelmendi në këtë dëshmi hedh akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, Azem Syles, Xhavit Halitit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit, e shumë personave tjerë.

Por a do të merret kjo dëshmi parasysh nga Prokurori i Specializuar, Jack Smith?

Lidhur me këtë, gazeta “Bota sot” ka kontaktuar me zëdhënësin e Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett, i cili nuk ka dashur të jap informacione, por as nuk e ka mohuar që dëshmia e Kelmendit nuk do të merret parasysh.

“Faleminderit për komunikimin tuaj. Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk jep këtë informacion mbi hetimin e saj”, ka thënë Bennett për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat