Haziri flet për zgjedhjet e parakohshme, ja çfarë thotë për LDK-në

Aktuale

Haziri flet për zgjedhjet e parakohshme, ja çfarë thotë për LDK-në

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 10:36
Lutfi Haziri

Takimi midis krerëve të partive politike për çështjen e presidentit ka dështuar të mbahet deri tani, ndonëse ishte paralajmëruar tash e disa javë. Kësisoj, të gjitha subjektet politike janë deklaruar të gatshme për opsionin tjetër: zgjedhjet e parakohshme.

Për nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, LDK-ja është e para gjithmonë.

I pyetur për rezultatin që mund ta marrë LDK-ja në zgjedhjet e ardhshme, Haziri ka thënë se nuk është me rëndësi se sa numra ke. Ai ka thënë se më e rëndësishme është se me kë qeveris.

“LDK e para gjithmonë. Beso! Nuk është me rëndësi sa numra ke, por kë e ke partner për qeverisje”, ka thënë Haziri.

Express ka pyetur edhe në subjektet tjera politike për rezultatet që i presin nga zgjedhjet e mundshme, por ato nuk janë përgjigjur.

Të dielën, sekretari i përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi, në një prononcim për Express i ka komentuar sondazhet që po bëhen për zgjedhjet e ardhshme, disa prej të cilave e renditin Nismën nën pragun minimal për t’u futur në Kuvend. Ai është shprehur i bindur se Nisma do të jetë sërish në Kuvendin e Kosovës, kurdo që mbahen zgjedhjet.

“Unë një send mund t’ju siguroj, që Nismën do ta keni sërish në Kuvendin e Kosovës pa marrë parasysh a do të mbahen zgjedhjet tash, a do të mbahen në pranverë, a do të mbahen vitin e ardhshëm apo pas një viti… Nismën sërish do ta keni pjesë të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Kaq mund t’ju them”, tha ai, për Express.

Për këtë, Sherifi ka thënë “mund t’ju siguroj dhe mund të më mbani për fjale në të ardhmen”.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht është shprehur kundër zgjedhjes së presidentit pa u mbajtur paraprakisht zgjedhjet e parakohshme.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e do kreun e saj, Ramush Haradinaj, për president. Ky propozim s’i ka pëlqyer partive tjera politike, ndërsa PDK-ja ka thënë se nëse kërkohen votat nga ta për zgjidhjen e kësaj çështjeje, atëherë propozimi për president duhet të vijë nga ky subjekt.

Në këtë mes, LDK-ja ka provuar t’i mbledhë partitë politike në një tryezë për t’u marrë vesh për këtë, por kjo ka dështuar të ndodhë deri tash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat