Avdyli: Furnizimi me vaksinë kundër koronavirusit, do të jetë problem

Aktuale

Avdyli: Furnizimi me vaksinë kundër koronavirusit, do të jetë problem

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 00:46
Foto ilustrim

Deputeti Haxhi Avdyli ka folur edhe për raportimin gjatë së martës të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, në Komisionin parlamentar për shëndetësi.

Sipas Avdylit, jo gjithçka që ka të bëjë me pandeminë varet nga Zemaj. Ai tha se shumë faktorë e bëjnë të komplikuar këtë situatë.

Avdyli tha se nuk është optimist se vaksina anti-COVID do të mbërrijë para pranverës.

“Mendoj për atë që na është premtuar se do të na jepet flas nga miqtë tanë, kurse për blerje edhe më vonë”, tha Avdyli.

Ai tha se për shtetet e varfra dhe ato në zhvillim do të jetë vështirë të sigurohet vaksina kundër koronavirusit.

“Do të kemi vështirësi, vonesë me vaksinim të komplet popullatës, shpresojmë që më 2021 do të bëhet kjo, por për vendet e varfra dhe në zhvillim do të ketë vështirësi”, ka thënë ai.

Avdyli, me profesion mjek, u shpreh se gjatë vitit të ardhshëm pritet të fitohet edhe imuniteti i masës ndaj koronavirusit, që bashkë me vaksinimin e një numri të qytetarëve do të bënin që kjo situatë të tejkalohet.

“Kosova s’mund të durojë edhe një mbyllje totale. Shpresoj që kjo valë e dytë është në rënie”, tha ai.

Avdyli ka thënë shkaku i Covidit kanë pësuar segmentet e tjera të shëndetësisë.

“Covidi është vetëm një segment, ndërsa sëmundjet që i kanë pasur njerëzit janë dhe po vazhdojnë. Në këtë drejtim ka ngecje, në Komisionin për Shëndetësinë u dhanë disa vërejtje. Shembull ka ndodh që Ambulantat Specialistike të SHSKUK-së janë mbyllë, aty ku bëhen kontrollet janë mbyllë. Kjo nuk është e drejtë, sepse njerëzit që kanë sëmundje të tjera nuk mund të bllokohen nga marrja e shërbimeve”, ka thënë Avdyli. “Besoj se do të shqyrtohen dhe të lirohen këto shërbime. Ka shumë sëmundje edhe që presin ndoshta disa kohë, por në këtë drejtim sistemi i jonë shëndetësor s’ka mundur t’i përballojë të dyjat”.

Sipas tij në këtë aspekt ka ndihmuar sistemi shëndetësor privat.

Sipas tij viti 2020 mund të krahasohet vetëm me vitin 1999.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat