Digjitalizimi ndihmon fuqizimin e grave

Aktuale

Digjitalizimi ndihmon fuqizimin e grave

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 17:22
Digjitalizimi ndihmon fuqizimin e grave

Në kuadër të eventeve “e-Days”, sot është mbajtur diskutimi virtual me temën “Gratë në biznes si promovuese të digjitalizimit”.

Aty u tha se digjitalizimi ndihmon në eliminim e pabarazive gjinore dhe fuqizimin e grave.

Hamëz Morina, menaxher në kompaninë e konsulencës ECIKS, derisa ka folur për të mirat e digjitalizimit, tha se Kosova duhet të punojë që sa më parë të bëhet pjesë e ekonomisë digjitale.

Ai tha se nga projekti ACCESS për fuqizim në digjitalizim, janë duke u përkrahur 12 biznese, ku nëntë prej tyre janë të udhëhequra nga gratë.

Morina: Si ekonomi sa më shpejt të jemi pjesë e ekonomisë digjitale

“Edhe ne si shoqëri dhe si ekonomi sa më shpejt të bëhemi pjesë e ekonomisë digjitale dhe të përfitojnë nga të mirat që sjell digjitalizimi. Si shoqëri që kemi të re dhe përdorim të lartë të internetit i kemi vetëm dy parakushte të rëndësishme për të qenë suksesshëm në këtë drejtim. Sido që të jetë revolucioni digjital duhet ta shfrytëzojmë edhe si momentum, por edhe si proces që si shoqëri të avancojmë në aspektin e barazisë gjinore… Projekti ‘Access’ i financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, dhe Ekonomisë dhe Ambientit ka për synim që përmes digjitalizimit të rrisë konkurreshmërinë dhe performancën e ndërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme duke sjellë përfitime për grupet e margjinalizuara përfshirë këtu edhe njerëzit që jetojnë në varfëri. Për ne si projekt, fuqizimi i ndërmarrësisë së grave është një temë gjithëpërfshirëse e projektit dhe një ndër qëllimet kryesore të tij”, tha Morina.

Shefja e Zyrës së Agjencionit austriak për Zhvillim në Prishtinë, Sandra Horina tha se përmes projekteve të tyre po ndihmohet në uljen e papunësisë dhe po ashtu t’u ofrojnë mundësi të rinjve që të përgatiten për tregun e punës.

Horina: Përmes projekteve tona synojmë t’u sigurojmë të rinjve punë dhe të qëndrojnë në Kosovë

“Kjo është diçka ku ne nuk kemi një lloj mbështetje institucionale, por me të vërtetë jemi për të treguar përvojën specifike në ato zona, dhe ne jemi shumë të lumtur që kemi këtë projekt që synon të mbështesë zhvillimin e sektorit privat, jo vetëm si një motor për zhvillimin e Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe progresin, por edhe në gjenerimin e efekteve pozitive në shoqëri dhe uljen e varfërisë. Në këtë kontekst, jemi të lumtur për këtë dhe kjo është ajo që synojmë dhe ajo që ne mbështesim. Jam veçanërisht i lumtur kur shoh që kemi një qasje në këtë, dhe kjo do të thotë që jemi duke i bashkuar forcat në dy projektet tona, kur ne jemi duke lejuar qasje në arsimin dhe nevojat e tregut, dhe mbylljen e hendekut ndërmjet sektorit të arsimit dhe njerëzve që arsimohen në Kosovë dhe nuk mund të gjejnë punë dhe nevojat e tregut nuk plotësohen, dhe ata nuk janë të kënaqur. Ne duam ta mbyllim këtë boshllëk me qëllim që të sigurojmë që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë për të adresuar sfidat kryesore me të cilat përballet vendi”, tha ajo.

Donjeta Sahatçiu nga kompania për marketing “Rrota” tha se pandemia në këtë sektor ka ndikuar relativisht pozitiv pasi bizneset kanë kërkuar ndihmë për digjitalizim. Ajo tha se shumë gra ndërmarrëse e shfrytëzojnë marketingun digjital për zhvillim të biznesit të tyre.

Sahatçiu: Gratë ndërmarrëse janë shumë të familjarizuara me marketingun digjital

“Pandemia është e vërtetë se për sektorin tonë ka qenë relativisht pozitive sepse kemi pasur kërkesa të shumta për t’i ndihmuar bizneset në digjitalizim. Sigurisht që ne kemi kaluar shumë kohë dhe shumë vite për digjitalizimin e tregut në Kosovë. Kemi shumë kompani që janë hapur prej ndërmarrëseve gra dhe janë duke e shtyrë përpara komplet konceptin e kësaj barazie dhe janë ato që po e luftojnë dhe mbështesin. Por në anën tjetër është e vërtetë që ne nuk kemi shumë gra të cilat kanë hyrë në këtë industri më herët dhe nuk e kanë ndoshta eksperiencën e njëjtë sikurse të tjerët që kanë pasur mundësinë ose kanë qenë në shkollim në këto drejtime ose përvoja me punët që i kanë rënë më herët. Gratë ndërmarrëse janë shumë të familjarizuara me marketingun digjital. Këto veçse funksionojnë kemi raste që janë nëpër fshatra nëpër komuna shumë më të vogla që bëjnë shitje online përmes shitjeve përmes rrjeteve sociale. Kjo është arritje shumë e mirë dhe tregon se ka dëshirë dhe nevojë për trajnime dhe janë të hapura për të mësuar”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat