Osmani si Rugova, i dhuron Bashës kristale të Trepçës

Aktuale

Osmani si Rugova, i dhuron Bashës kristale të Trepçës

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 12:34
Vjosa Osmani dhe Lulzim Basha

Presidentja në detyrë, që njihet si ndjekëse e frymës rugoviane, ka vepruar njëjtë si presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova duke i dhuruar kreut të opozitës shqiptare Lulzim Basha kristale nga Trepça – ashtu siç bënte ai në takimet e tij zyrtare dhe jozyrtare.

“Ishte kënaqësi, ndër të tjera, që në mesin e dhuratave që shkëmbyem ne t’i sjellim kristalet nga Mitrovica si një simbol i trefishtë. Në radhë të parë si simbol i pasurive natyrore që Kosova ka dhe që Serbia akoma tenton t’i rrëmbejë dhe në radhë të dytë si simbol që presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova gjithnjë ua dhuronte miqve. Në radhë të tretë, por edhe më e rëndësishmja është që kristali ishte në formën e hartës së Kosovës për të simbolizuar pacenueshmërinë territoriale të Republikës tonë”.

Osmani, pas takimit me Bashën, ka thënë se ajo përfaqëson zërin e qytetarëve kosovarë të cilët kërkojnë bashkëpunimin e sinqertë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Si përfaqësuese e institucioneve të Kosovës, si kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së presidentit, është detyrë e imja parësore që të flas me zërin që ma kanë dhënë qytetarët e Kosovës, që të paraqes kërkesat e tyre legjitime dhe që të kërkojë atë që ata e kërkojnë natyrshëm – bashkëpunimin e sinqertë, siç është mes dy motrash, mes Kosovës dhe Shqipërisë. Një bashkëpunim të paeukivok që në asnjë moment nuk do të duhej të kishte ndonjë barrierë, apo keqkuptim. Edhe nëse ato mund të ndërtohen, qoftë si keqkuptime apo barriera, të punojmë të gjithë bashkërisht pavarësisht cilës parti apo institucion i takojmë që t’i eliminojmë, sepse mbi të gjitha jemi shqiptarë”.

“Siç e thashë dje në Kuvendin e Shqipërisë të punojmë bashkërisht që flamuri i Kosovës dhe Shqipërisë të valëviten krah njëri-tjetrit në të gjitha organizata ndërkombëtare jo pse kjo është një çështje teknike, por është çështje fundamentale për fuqizimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës. Vërtet i kemi dy flamuj, jemi dy shtete sovrane të pavarura, por jemi një shpirt i pamposhtur dhe si të tillë do të duhej të vepronim ndërmjet nesh, por edhe para botës”.

Ajo e ka përsëritur kërkesën që edhe dje e ka bërë në fjalimin e saj në Kuvendin e Shqipërisë që ky institucion të dënojë gjenocidin serb përmes një rezolute.

“Kërkesa jonë si Republikë e Kosovës që Shqipëria të jetë shtet i dytë, pas Kosovës, që të dënojë gjenocidin serb në Kosovë përmes një rezolute është kërkesë legjitime që nuk do të duhej të haste në vonesa e as në pikëpyetje. Dua t’i falënderoj institucionet që kam takuar deri tani, në veçanti presidentin Ilir Meta, dhe kryetarin Lulzim Basha për përkrahjen lidhur me këtë propozim”.

“Është e domosdoshme që sa i përket krimeve të llahtarshme që Serbia ka kryer në Kosovë – nisur nga krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit deri te gjenocidi si qëllim i qartë i Serbisë që të shfarosë popullin tonë – t’i dënojmë bashkërisht dhe me një zë të qartë dhe pa asnjë pikëpyetje të vetme. Nuk ka pikëpyetje që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Mjafton të vizitohet fshati Mejë i Gjakovës ku dëshmohet qëllimi i qartë i Serbisë nuk ka qenë thjesht spastrimi etnik, por ta shfarosë një popull të tërë nga faqja e dheut”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat