OMK thirrje Qeverisë që t’ua paguaj shtesat dhe kujdestarinë mjekëve specializantë

Aktuale

OMK thirrje Qeverisë që t’ua paguaj shtesat dhe kujdestarinë mjekëve specializantë

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 13:52
Foto Ilustrim

Oda e Mjekëve të Kosovës përmes një reagimi për media i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që që mjekëve specializantë që kanë shërbyer në Klinikat e SHSKUK-së gjatë pandemisë, t’iu kompensohen shtesat dhe kujdestaritë sa më parë.

“OMK me shqetësim, indinjatë dhe zhgënjim ka pranuar njoftimin për mos kompensimin e shtesave, kujdestarive dhe së fundmi edhe kompensimin e pagave me vonesë për mjekët specializantë të cilët ofrojnë shërbime mjekësore në mënyrë të pakursyer dhe obligative së bashku me mjekët e tjerë specialistë pranë SHSKUK-së, përkatësisht në klinikat me pacientë të sëmurë me virusin Covid-19,por jo vetëm, që nga fillimi i pandemisë e deri më sot, dhe të cilët janë detyruar që përmes protestave të kërkojnë të drejtat e tyre që iu garantohen me vendime të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me Ligjin e Punës”, thuhet në reagimin e tyre.

Oda thekson se mjekët specializantë që nga fillimi i pandemisë, me 13 mars 2020 janë të angazhuar të gjithë pa dallim në klinikat me pacientë të sëmurë me virusin COVID-19, nga drejtorët e klinikave përkatëse si dhe nga drejtoria e SHSKUK-së, por të cilëve nga muaji korrik 2020 nuk u janë kompensuar shtesat dhe kujdestaritë për punën e tyre në shërbim të këtyre klinikave.

“Megjithëse të njëjtit nuk janë kompensuar, ata kanë vazhduar punën në ofrimin e shërbimeve mjekësore në këto klinika dhe përmes komunikimeve zyrtare kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e SHSKUK-së që t’iu bëhen pagesat e shtesave dhe kujdestarive të mbajtura nga periudha korrik —nëntor 2020. Përkundër dërgimit të shkresave të panumërta pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së SHSKUK-së, të njëjtit kanë marrë përgjigje se pagesat nuk janë kryer për arsye teknike të cilat realisht nuk ekzistojnë, por janë vetëm arsyetim sa për të vonuar tutje kryerjen e këtyre pagesave.

Oda e Mjekëve konsideron se me veprimet e tilla nga institucionet shëndetësore punëdhënëse, duke injoruar kërkesat legjitime të kësaj kategorie të mjekëve, përveç që ha bërë shkeljen e Vendimit të Qeverisë me nr ref 01/19 i dt.30.03.2020 st dhe Vendimit me nr ref 18/38 të dt 30.10.2020, të njëjtit kanë bërë shkelje edhe të Ligjit të Punës, përkatësisht Nenit 56, ku thuhet se: ”Për punën më të gjatë se orari i plotë i punës, si dhe për punë në ditët e festave shtetërore dhe për punën e natës, i punësuari ka të drejtë në pagë shtesë, në pajtim me këtë ligj, Kontratën Kolektive dhe Kontratën e Punës.””, thuhet më tej në reagim.

Oda e Mjekëve të Kosovës iu bënë thirrje që në afat sa më të shkurtër kohor, të bëjë kompensimin e kësaj kategorie të mjekëve për shtesat dhe kujdestaritë e mbajtura në klinikat e SHSKUK-së, por jo vetëm, në të kundërtën OMK në respektim të dispozitave ligjore në fuqi, detyrohet që në emër të mjekëve specializantë do të iniciojë procedurë gjyqësore pranë Gjykatës kompetente deri në realizimin e të drejtave të tyre, të cilat u garantohen sipas Vendimeve të Qeverisë dhe Ligjit Nr. 03/L-212 të Punës!.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat