​Mesha e Krishtlindjes, Dodë Gjergji thirrje politikanëve: Zgjidhni çështjet e rëndësishme për vendin

Aktuale

​Mesha e Krishtlindjes, Dodë Gjergji thirrje politikanëve: Zgjidhni çështjet e rëndësishme për vendin

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 23:57

(E plotësuar) - Në Katedralen “Nënë Tereza” të Prishtinës, është mbajtur manifestimi solemn i Krishtlindjes. Para fillimit të ceremonisë zyrtare, është mbajtur një program me këngë e recitime nga fëmijët dhe kori i famullisë së Prishtinës.

Përveç Ipeshkvisë së Kosovës në këtë meshë morën pjesë edhe kryeministri Avdullah Hoti, besimtarë, si dhe personalitete të tjera që punojnë dhe veprojnë në Kosovë.

Më pas në predikimin e tij, imzot Dodë Gjergji është fokusuar në lutjet për pendim për fajet dhe mëkatet e bëra.

Ndërsa fokus ishin lutjet për viktimat e shkaktuara nga pandemia, të sëmurit, por edhe për mjekët, infermierët dhe të gjithë personelin mjekësor që po bën çmos për shërimin e të sëmurëve nga pandemia Covid-19.

Gjergji: Lutemi për viktimat e shkaktuara nga pandemia Covid-19

“Në pamundësi që të bëjmë më shumë, nëpërmjet lutjeve dhe nëpërmjet veprave nuk na ka penguar që të japim diçka nga vetja jonë, duke u lutur për ata të cilët i kanë humbur të afërmit e tyre. Në veçanti dëshiroj të theksoj që ne pandërprerë për të gjithë ata burra e ato gra, mjekë, infermierë të cilët pa u lodhur siç thotë populli deri në pikën e fundit janë përpjekur për t’u vërë në shërbim të jetëve dhe të njerëzve dhe për t’i shpëtuar ato”, tha ai.

Në anën tjetër, imzot Dodë Gjergji tha se janë shumë të bindur dhe plotë shpresë, që kremtimi i sivjem i festës së Krishtlindjes, do të jetë më i përjetuar në bukurinë e vet se sa herëve të tjera, pasi do të arrijnë të shohin më qartë bukurinë e fesë, do të përjetojnë Zotin më pranë dhe do të ndjejnë më shumë nevojën e njëri-tjetrit.

Gjergji: Kjo do të na mundësojë që vetvetiu sytë tanë të ngritën drejt qiellit

“Jam shumë i lumtur që kremtimi i sivjetmë i festës së kërshëndellave varësisht asaj që u tha më lart do të jetë më i bukur se herave të tjera, pasi do të festojmë më me për shpirti, do të jemi më të afërt. Sepse besojmë se pas shëmtimit të ditëve që kemi kaluar do të përjetojmë Zotin në mënyrë më të mundshme. Kjo do të na mundësojë që vetvetiu sytë tanë të ngritën drejt qiellit”, tha ai.

Në meshën e Krishtlindjes, Gjergji pati edhe një porosi për spektrin politik në vend, duke i ftuar që të gjejnë forcën dhe të pajtohen dhe të falin njëri-tjetrin.

Gjergji: Ftoj partitë politike të rigjejnë forcën dhe të falin njëri-tjetrin

“I ftoj edhe përgjegjësit institucionalë dhe politik në vend, që të rigjejnë urtinë e të parëve, entuziazmin e dikurshëm për liri dhe vullnetin që kishim për paqen, për të rindërtuar besimin, për të gjetur paqen e brendshme, pasi paqja, pajtimi dhe besimi në njëri-tjetrin nuk është vetën nevojë e përkohshme e as nuk i takon vetëm një gjenerate, por përgjegjësi e vazhdueshme e secilit prej nesh, që e dëshiron vetë Zoti”, tha ai.

Po ashtu Gjergji në mesazhin e Meshës së Krishtlindjes kërkojë nga politikanët që të merren me nevojat e njerëzve dhe të kujdesën për të ardhmen e tyre, duke thënë se vetëm kështu do të meritojnë besimin e popullit.

Gjergji: T’i japin zgjidhje çështjeve të rëndësishme për vendin

“Dua t’i ftoj të gjithë ata që kanë përgjegjësi për t’iu dhanë përgjigje pyetjeve të mëdha për vendin dhe të ardhmen tonë, të mos kenë frikë nga përvujtëria, pasi të përvuajturit gjejnë zgjidhje më shpejtë se krenarët; të mos kenë frikë nga kompromiset, pasi janë mundësia e vetme që na lejojnë të ecim më tutje drejt të ardhmes dhe siguron përparimin drejt demokratizimit të gjithë shoqërisë sonë; të mos kenë frikë të merren me nevojat e njerëzve dhe të kujdesën për të ardhmen e tyre, sepse vetëm kështu do të meritojnë besimin e popullit, i cili nuk donë t’i tregojnë se ‘kush është shpresa e kush e vret atë’, por të kenë guximin të merren vesh për gjërat që e përcaktojnë fatin tonë, t’i japin zgjidhje çështjeve të rëndësishme për vendin dhe të sigurojnë një frymë normaliteti njerëzor në mesin tonë”, tha ai.

Në fund imzot Dodë Gjergji shprehi edhe urimet për Vitin e Ri 2021 duke dëshiruar, paqe, mirëkuptim dhe shëndet për të gjithë qytetarët e vendit.

Nis mesha e Krishtlindjes, i pranishëm edhe kryeministri Hoti

Nis mesha e Krishtlindjes

Ka nisur ceremonia e meshës së Krishtlindjes në katedralen “Shën Nëna Tereze”.

I pranishëm aty është edhe kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti.

Në këtë ceremoni ka më pak të pranishëm sesa viteve të kaluara për shkak të situatës me pandeminë COVID-19.

Hoti në meshën festive të Krishtlindjes: Vij çdoherë, sepse është festë e të gjithë shqiptarëve

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, sonte i është bashkuar ceremonisë festive në katedralen “Shën Nëna Terezë” të kryeqytetit.

Ai ka thënë se për Kërshëndella vazhdimisht ka shkuar në festë, të cilën e konsideroi si festë të të gjithë shqiptarëve.

“Sonte është një natë e veçantë për të gjithë besimtarët katolikë. Sonte këtu jam si qytetar, jo si zyrtar. Si një qytetar kam qenë vazhdimisht, në Kërshëndella. Janë festa që i festojmë së bashku gjithë shqiptarët, pa përjashtim prodhojnë mesazhin e paqes. Përçojnë mesazhin e paqes, harmonisë dhe dashurisë mes nesh”.

Image

***

Mesha e Krishtlindjes pritet të nisë pas pak me disa besimtarë të mbledhur, por më pak se zakonisht.

Në katedralën “Shën Nëna Terezë” në Prishtinë janë duke u bërë edhe përgatitjet e fundit për “Meshën e Mesnatës” me rastin e Krishtlindjeve.

Viteve të kaluar kjo katedrale ishte mbushur plot nga besimtarët katolikë.

Por, pandemia e ka ndryshuar mënyrën e mbajtjes së kësaj meshe, duke shtuar kështu kujdesin ndaj përhapjes së pandemisë COVID-19.

Lidhur me detajet se si do të mbahet “Mesha e Mesnatës”, i ka treguar famulltari i Prishtinës Don Fatmir Koliqi.

“Sivjet Krishtlindjet i kemi pak më të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë. Tashmë është e ditur se në gjithë botën janë marrë masa për parandalimin e pandemisë COVID-19, edhe ne i bashkohemi kësaj kështu që edhe Krishtlindjet sivjet janë të organizuara në bazë të masave të nxjerra nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat