Shumëfishohet numri i pronave të përbashkëta të bashkëshortëve

Aktuale

Shumëfishohet numri i pronave të përbashkëta të bashkëshortëve

Më: 31 dhjetor 2020 Në ora: 08:12
Ilustrim

Numri i pronave të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve është rritur shumëfish që nga miratimi i Udhëzimit Administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve në vitin 2016.

7 mijë e 417 prona në Kosovë janë të regjistruara deri më tani si prona të përbashkëta të bashkëshortëve, numër ky në krahasim me numrin prej rreth 1.7 milionë banorëve sa ka Kosova mund të duket i ulët.

Por, nëse e krahasojmë numrin e pronave të përbashkëta të regjistruara tani, me 104 prona të regjistruara para vitit 2016 kur u miratua Udhëzimi Administrativ mund të thuhet se është shifër që është ngritur dukshëm.

Sipas të dhënave që Telegrafi ka siguruar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, para hyrjes në fuqi, vetëm 104 raste kanë pasur pronën në emër të përbashkët.

Në Republikën e Kosovës, nga viti 2016 çështja e regjistrimit të pronës pas lidhjes së kurorës nga një çift është e rregulluar me Udhëzim Administrativ i cili ka për qëllim që të stimuloj regjistrimin e pronave të paluajtshme të përbashkëta në emër të dy bashkëshortëve.

 

Përmes këtij udhëzimi është paraparë të ketë edhe benefite, për të cilat ka folur Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Rezniqi tha se pa marrë parasysh nëse prona është ose jo e regjistruar në emrin e dy bashkëshortëve pas lidhjes së kurorës, me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi, prona e krijuar pas martesës u takon të dy bashkëshortëve.

“Ky udhëzim administrativ ka parë edhe këto masat lehtësuese. Këto masa lehtësuese kanë pa lehtësime sa i përket pagesave të tarifave, pra kanë paraparë që të lirohet nga pagesa e tarifave për regjistrimin e kësaj prone”, tha Rezniqi për Telegrafin.

Nga Rrjeti i Grave të Kosovës e kanë pritur shumë mirë çështjen e Udhëzimit Administrativ, duke qenë se siç tha Valmira Rashiti nga ky Rrjet, në vendin tonë vetëm 5 për qind të pronave të përgjithshme janë të regjistruara në emër të grave.

“Normalisht se me një vend ku e dimë se vetëm 5 për qind e pronave të përgjithshme janë të regjistruara në emër të grave, Udhëzimi Administrativ për Regjistrim të Pronave të Përbashkëta është tejet i mirëseardhur”, tha Rashiti.

Ndryshe, ajo u shpreh se regjistrimi i pronës së përbashkët i jep një siguri grave, që të paktën financiarisht ato të jenë të sigurta dhe që kështu edhe të mos jenë të detyruara të qëndrojnë në një lidhje ku mund të jenë edhe viktima të dhunës.

Regjistrimi i pronës në emër të përbashkët bëhet me akt juridik të vërtetuar tek organi noterial apo gjyqësor, kur në këtë akt juridik parashihet regjistrimi i pronës se përbashkët.

Pra, Agjencia Kadastrale e Kosovës nuk mund të bëj regjistrimin e të drejtave pronësore pa ekzistimin paraprak të një akti juridik të plotfuqishëm që parasheh mënyrën e regjistrimit të pronësisë.

Noteri, Sefadin Blakaj tha gjatë intervistës për Telegrafin se është vendim i palëve, pra bashkëshortëve nëse duan apo jo ta regjistrojnë pronën si të përbashkët.

Ai tha se rekomandojnë që kryesisht pronat rezidenciale të regjistrohen në emrin e përbashkët.

“Numri është mjaft i gjerë, sidomos në vendet urbane, në Prishtinë e kam përshtypjen që numri më i madh, për shembull për blerjen e banesave regjistrohet në emrin e përbashkët, nëse bëhet fjalë për të martuarit”, tha Blakaj.

Ai theksoi se çështja e tarifave që duhet të paguajnë është i rregulluar nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa tha se nuk e diskutojnë noterët këtë pjesë.

“Tarifat janë të përcaktuara nga Ministria e Drejtësisë, ne noterët fare nuk e diskutojmë çështjen e tarifave dhe pagesave sepse ato janë të përcaktuara nga një organ tjetër dhe është detyrë e noterit që ta zbatoj këtë ashtu siç i ka vendosur Ministria e Drejtësisë, me Udhëzimin Administrativ”, tha ai.

Arrita Rezniqi, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se megjithëse statistikat tregojnë për rritjen e numrit të pronave të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve, ata në Linjën për Ndihmë Juridike Falas, kanë pranuar me dhjetëra raste të problemeve të kësaj natyre.

“Mund të them që ne kemi dhjetëra raste brenda vitit që vijnë dhe kërkojnë ndihmë juridike falas për këtë çështje”, tha Rezniqi.

“Gjithmonë pastaj lind një procedurë ekstra, për të dëshmuar që ajo pronë është formuar pas martesës. Por, që parimisht kjo nuk është dekurajuese për gratë. Të gjitha ato që vijnë kur kalojnë të pjesa e pronës, ato thonë që ‘nuk kam asgjë të regjistrume në emër timin’, e ne ua shpjegojmë si e parasheh ligji”, tha ajo.

Regjistrimi i pronës së përbashkët nuk është e detyrueshme, por siç tha Rezniqi edhe në rastet kur prona nuk është e regjistruar në dokumente si e përbashkët, nëse ajo është formuar pas martesës atëherë u takon të dyve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat