Kosova e nis vitin me regjim vizash, i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që s’mund të lëvizë në Shengen

Aktuale

Kosova e nis vitin me regjim vizash, i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që s’mund të lëvizë në Shengen

Më: 3 janar 2021 Në ora: 11:18
New Born, Prishtinë

Vizat për Shqipërinë e Bosnje e Hercegovinën janë liberalizuar në vitin 2010 e për Serbinë, Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut në vitin 2009. Ndërkohë, shumica e shqiptarëve, në 30 vitet e fundit, vendet perëndimore i njohin vetëm përmes televizionit. Paradoksalisht, 30 vjet më parë, shqiptarët e Kosovës në kuadër të ish-Federatës komuniste Jugosllave kanë mundur të lëvizin pa viza në çdo vend të Evropës dhe shumë vende të tjera të botës.

Kështu, Kosova e nisi dekadën e dytë, ende me regjim vizash. Vendi ka përmbushur kriteret nga viti 2018, por mungesa e luftimit sa duhet e korrupsionit dhe mospajtimet e disa vendeve të bllokut, duket se mbeten ende pengesë.

“Qeveria e re që mund te dalë nga zgjedhjet që janë ne prag,do të duhej të fokusohej jashtëzakonisht shumë që të plotësojë këtë kriter në mënyrë që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’u mundësohet lëvizja gjatë viti 2021.

Ndonëse, më duhet të them se personalisht jam goxha skeptik edhe për shkak të pamundësisë tonë për të marrë seriozisht detyrat e caktuara që na parashtrohen nga vendet e BE-së”, thotë Ejup Gojnovci, analist.

Gjashtë muajt e fundit të vitit që kaloi, presidenca e radhës e BE-së u drejtua nga Gjermania. Pritjet e qytetarëve ishin të mëdha. Por tani kur liberalizimi nuk ndodhi, dyshimet janë se vështirë do të ketë heqje të vizave edhe në vitin 2021.

“Tani situata do të jetë goxha komplekse edhe unë mbetem skeptik që edhe viti 2021 do të jetë vit i mbylljes dhe është e padrejtë, natyrisht për qytetarët e Kosovës por edhe BE-në që të mos jetë pak më fleksibile t’ja mundësojë vendit tonë që ta ketë këtë qasje në tregun e lirë të hapësirës shengen”, thotë analisti.

Ndërkohë, hulumtimet e ndryshme të opinionit publik, nuk nxjerrin të dhëna optimiste. Bazuar në një anketë të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, të publikuar ditë më parë, 48.4 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të gatshëm të largohen nga vendi.

Gatishmëria për të migruar është rritur me 23% dhe 30% në vitin 2020, krahasuar me vitet 2015 dhe 2019.

Statistikat e Eurostatit tregojnë se numri i azilkërkuesve te kosovarët ka rënë ndjeshëm. Në vitin 2019, në vendet e BE-së, azil kërkuan 2.300 kosovarë kurse në vitin 2015, ishin 73 mijë persona.

Arsyet e largimit janë kryesisht ato ekonomike, politike e shoqërore. Situatë e ngjashme është edhe tek komuniteti serb i Kosovës, vetëm se ata duan të shpërngulen në Serbi. Në një studim që ka kryer Rrjeti i Aktivizmit Qytetar, CSD, rezulton se 67% e serbëve të Kosovës, dëshirojnë të largohen përgjithmonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat