LVV-ja e merr Alternativën në listën zgjedhore, Kusari-Lila: Do të kishim preferuar koalicion

Aktuale

LVV-ja e merr Alternativën në listën zgjedhore, Kusari-Lila: Do të kishim preferuar koalicion

Më: 12 janar 2021 Në ora: 16:50
Albin Kurti dhe Mimoza Kusari Lila

Mimoza Kusari-Lila do të preferonte një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe pa të, ajo dhe partia që ajo e udhëheq janë pajtuar të garojnë në një listë të përbashkët në zgjedhje me partinë e Albin Kurtit.

Alternativa do ta vazhdojë bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit. Kryetarja e kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila, tha për Express se do të kishin dashur një marrëveshje koalicioni me partinë e Albin Kurtit, por ka shtuar se edhe këtë herë do të garojnë së bashku vetëm me një marrëveshje të pazyrtarizuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kusari-Lila tha se janë në finalizim të kësaj marrëveshjeje “të natyrës së njëjtë siç e kemi pasur”.

“Duket që edhe këto zgjedhje ne do të kemi një marrëveshje që të hyjmë në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, në një marrëveshje të brendshme mes neve, por jo në një koalicion zyrtar në KQZ”, tha ajo.

Kryetarja e Alternativës e ka pranuar se do të kishin preferuar një marrëveshje tjetër, por tha se do të dakordohen të bashkëpunojnë kështu siç ishte deri tash, “duke i parë rrethanat e kohës dhe domosdoshmërinë e një procesi me sa më pak komplikime”.

“Ne natyrisht që kemi preferuar që të kemi koalicion mes dy subjekteve për faktin se Alternativa është subjekt i regjistruar në KQZ dhe dëshiron ta ngris dhe zhvillojë subjektivitetin e vetë. Megjithatë, duke i parë rrethanat e kohës dhe domosdoshmërinë e një procesi me sa më pak, të them ndoshta komplikime në situatën në të cilën jemi, edhe këto zgjedhje ne në njëfarë mënyre po dakordohemi të bashkëpunojmë në një format tjetër, por me dakordim të brendshëm”, tha Kusari-Lila.

Çështje ende e diskutueshme mbetet numri i kandidatëve që Alternativa do t’i përfshijë në listën e përbashkët me LVV’në.

“Në proces është kjo, për shkak se edhe Lëvizja është duke i përpiluar listat e veta”, tha Kusari-Lila.

Pas takimit konsultativ me Vjosa Osmanin në Presidencë më 23 dhjetor, kryetarja e Alternativës kishte thënë se në zgjedhjet e radhës beson që do të garojnë së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, duke shtuar se priste edhe marrëveshje koalicioni mes dy partive.

“Unë këtu sot jam si përfaqësuese e partisë Alternativa. Bashkëpunimin me LVV’në besoj pa dyshime do ta vazhdojmë në zgjedhjet e radhës. Kësaj here uroj në një marrëveshje në mes të subjekteve, jo të individëve. Do të thotë jo unë si kandidate për deputete bashkë me një përfaqësues të Alternativës, por si subjekte politike, të cilat e kanë synimin dhe qëllimin e përbashkët për ndryshime pozitive”, ishte shprehur Kusari-Lila.

Edhe në zgjedhjet e kaluara, Alternativa ishte përfshirë në listën zgjedhore të LVV’së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat