Fushatat milionëshe

Aktuale

Fushatat milionëshe

Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 16:31
Billbord elektoral në Prishtinë më 11 shkurt

Më shumë se 4 milionë euro që partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës marrin çdo vit nga buxheti i shtetit, nuk i mbulojnë shpenzimet e mëdha që ato bëjnë vetëm gjatë fushatave elektorale, thonë përfaqësues nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”.

Në buxhetin e vitit 2021, financimi i partive politike është nën programin “Fondi për mbështetjen e partive politike”, kategoria ekonomike subvencione dhe transfere në total ka një vlerë prej 4.200,000 euro.

Shuma e mjeteve për financimin e aktiviteteve të subjekteve politike bëhet në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.

Por, partitë politike financohen edhe nga burime tjera kryesisht nga bizneset, thotë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj.

“Po vërehet që ka shpenzime të mëdha në media, në rrjete sociale, në reklama dhe në billborde që po vendosen në qytete. Në të kaluarën i kemi matur shpenzimet e partive politike dhe në bazë të matjes që e kemi bërë në atë kohë ka dalë se partitë politike kanë shpenzuar dy herë më shumë sesa që kanë deklaruar në KQZ”, thotë Demhasaj.

Megjithatë, me këtë nuk pajtohen përfaqësuesit e disa partive politike në Kosovë.

Lutfi Zharku nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se fushata elektorale po financohet nga mjetet që atyre iu ndahen në vit nga buxheti i shtetit dhe se deklarimin e shpenzimeve për këtë fushatë, do ta bëjnë pas përfundimit të zgjedhjeve.

Edhe zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, thotë për për Radion Evropa e Lirë se burimet bazë dhe kryesore të financimit janë Fondi për demokratizim i subjekteve politike në kuadër të buxhetit të Republikës së Kosovës, njëherësh edhe pagesat e anëtarësisë dhe donacionet vullnetare nga persona juridikë dhe fiziksë.

“VV-ja gjithmonë ka qenë transparente sa i përket financave të saj, duke dorëzuar raportet financiare, qofshin ato vjetore apo të fushatave zgjedhore, në kohë dhe duke i bërë publike rregullisht ato në ueb-faqe e saj. Njësoj do të veprojmë edhe kësaj radhe”, deklaron Kryeziu.

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

Në një raport të organizatës joqeveritare “Çohu”, të bërë për shpenzimet e partive politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2017, koalicioni parazgjedhor Partia Demokratike të Kosovës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën (PAN), kishin shpenzuar 1.717,1555 euro, koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa (LAA), 1.094,076 euro dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) 359,929 euro.

Ndërkaq, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2019, katër nga partitë më të mëdha politike në vend në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë deklaruar këto shuma: Lidhja Demokratike e Kosovës kishte raportuar se ka shpenzuar 735.541,87 euro, Lëvizja Vetëvendosje ka raportuar 451.979,85 euro, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka raportuar shpenzime 346.544,15 dhe Partia Demokratike e Kosovës ka raportuar 316.346,32 euro.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se këto shpenzime të deklaruara nga partitë politike janë shumë herë më të mëdha nga ajo që ato shpenzojnë gjatë fushatës.

Ai thotë se nuk kanë ndonjë shifër të saktë sesa kanë mundur të shpenzojnë partitë politike në zgjidhjet e kaluara, por, që sipas tij, kanë shpenzuar milona euro dhe po shpenzojnë ngjashëm edhe në këtë fushatë.

“Nga monitorimi që kemi bërë, ka dalë që secili subjekti politik ka shpenzuar më shumë sesa që ka deklaruar, monitorimi ka qenë klasik edhe ka qenë i thjeshtë, i kemi marrë çmimet e tregut dhe i kemi krahasuar me atë që kemi parë në terren. Nga kjo formë mund të kuptojmë që secili subjekt harxhon shumë më shumë se që deklaron. Partitë kanë fushata të shtrenjta”, thotë ai.

Çmimet vetëm për materiale reklamuese në tregun e Kosovës që Radio Evropa e Lirë ka marrë nga disa kompani që merren me këtë veprimtari janë këto: Shtypja e 10 mijë kartëvizitave - 100 deri në 150 euro, personalizimi i stilolapsave – 0.25 deri në 0.35 euro për copë. Të njëjtin çmim e kanë edhe shkrepëset e personalizuara. Ndërkaq, për billborde çmimet variojnë duke filluar nga 500 euro.

Një ndër format e marketingut zgjedhor, e cila po përdoret në këtë fushatë janë edhe rrjetet sociale dhe portalet informative. Për shkak të marrëveshjeve të ndryshme dhe negocimeve individuale, këto shifra mund të variojnë dhe nuk dihen çmimet. Shpenzime të mëdha partitë bëjnë edhe në materiale sponsorizuese të partive politike në televizione.

Transparenca rreth financimit të partive politike ka qenë dhe mbetet një prej ngecjeve të vazhdueshme të Kosovës, që është evidentuar gati se në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian.

Partive politike u lejohet t'i shpenzojnë rreth 950 mijë euro për zgjedhjet e 14 shkurtit

Në bazë të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton maksimumin e shpenzimeve të fushatës, që bazohet në numrin e përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën e votuesve.

Lista përfundimtare e votuesve brenda vendit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 14 shkurt, përmban 1 milion e 794 mijë e 862 emra të votuesve.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, bën të ditur se partitë politike mund të shpenzojnë për zgjedhje e parakohshme parlamentare 942 mijë euro e 50 centë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat