​Pritja shtetërore për 13 vjetorin e pavarësisë, Osmani ka një thirrje për partitë politike

Aktuale

​Pritja shtetërore për 13 vjetorin e pavarësisë, Osmani ka një thirrje për partitë politike

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 20:27
Vjosa Osmani

Në nderim të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nën patronazhin e ushtrueses së detyrës së presidentes Vjosa Osmani është organizuar pritje shtetërore.

Të pranishëm në ketë pritje ishin kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, kryetari i LVV-së Albin Kurti, kryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, përfaqësues të tjerë të partive politike, përfaqësues të institucioneve vendore, ambasadorë të shteteve e përfaqësues fetarë.

Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, para të pranishmëve tha se në këtë ditë përkulen para përpjekjeve dhe sakrificës të të gjithë brezave për ta bërë Kosovën e pavarur.

Për festimin e kësaj dite, Osmani tha se kanë dhënë jetën shumë heronj e heroina të cilët do të kujtohen përjetësisht.

Osmani: Për këtë ditë dhanë jetën shumë heronj e heroina

“Rezistenca paqësore e presidentit Rugova kundrejt një regjimi gjenocidal dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin Jashari dhe familjen e tij kurorëzuan përpjekjet tona për liri e për pavarësi. Për këtë ditë dhanë jetën shumë heronj e heroina të cilët do të kujtohen përjetësisht. Nën udhëheqjen e këtyre figurave emblematike ne mësuam se qëllimet madhore e kombëtare as nuk mund të përballohen e as nuk mund të realizohen pa unifikim. Padyshim se rrugëtimi ynë deri këtu nuk ka qenë i lehtë e fatkeqësisht për shumë nga ne kapitulli i luftës ende nuk është mbyllur. Gjersa lirinë që e gëzojmë sot ua kemi borxh qytetarëve tanë kjo përpjekje e jona për shtet nuk do të arrihej pa ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë”, tha ajo.

Ajo tha se përkulen dhe i falënderojnë të gjithë gratë e burrat e forcave ushtarake të NATO-së, SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar e të gjitha shtetet anëtare të BE-së, të cilat tha se i kanë dhënë mbështetje të fuqishme Kosovës për liri.

Osmani tha se 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë janë bërë shumë hapa përpara, por që tha se janë të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për t’u bërë. Ajo tha se gjithë këto vite aspirata dhe orientimi i Kosovës për integrim në familjen euroatlantike ka mbetur konstante.

Ajo tha se vendit i duhet unitet për të përmbyllur çështje të hapura që rëndojnë mbi supet e shtetit të Kosovës, siç është procesi i dialogut me Serbinë.

Osmani: Na duhet unitet për çështje të rëndësisë shtetërore

“Kosova duhet të ndërtohet si shtet i së drejtës dhe i barazisë qytetare. Ne na duhet unitet për çështje të rëndësisë shtetërore në mënyrë që të mbyllim me sukses çështjet e hapura që rëndojnë mbi supet e shtetit tonë 13 vjeçar. E ky unitet është i nevojshëm që në periudhën që e kemi përpara ta kemi një vizion të qartë edhe kundrejt procesit të dialogut me Serbinë, të jemi bashkë për të garantuar sovranitetin, paprekshmërinë territoriale e integritetin kushtetues të vendit tonë”, tha ajo.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, përmendi edhe 1 mijë e 600 personat që ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, për çka tha se pa u mbyllur kjo dhimbje nuk arrihet e as nuk ka kuptim paqja e qëndrueshme.

Në këtë pritje shtetërore, Osmani foli edhe për zgjedhjet e 14 shkurtit, ku tha se tash është obligim i tyre që vullneti qytetar të materializohet në veprime konkrete duke siguruar stabilitet institucional.

Osmani: Tani është obligim yni parësor që vullneti qytetar të materializohet në veprime konkrete

“Tri ditë më parë ne dhamë një provim serioz për demokracinë, Kosova mbajti suksesshëm zgjedhjet e pesta Parlamentare prej se është pavarësuar. Vullneti qytetar i cili u manifestua tek kutitë e votimit prodhojë ndryshimin pozitiv në vend dhe tani është obligim i yni parësor që vullneti qytetar të materializohet në veprime konkrete duke siguruar stabilitet institucional, mirëqenie të mirëfilltë dhe punë me nderë e me përgjegjësi të lartë. Rrëfimi për Kosovën 13 vjeçe nuk përfundon këtu, ne e përjetuam dhe ende vuajmë pasojat e luftës, por kjo nuk na ka penguar që ta mbajmë shikimin përpara”, tha Osmani.

Osmani foli edhe për Ushtrinë e Kosovës, përkatësisht fillimin e misionit të parë paqeruajtës që FSK ka nisur përkrahë Gardës së lowa-s.

Osmani: Kam besimin e palëkundur se ushtarakët tanë do t’ia dalin me sukses

“Kam besimin e palëkundur se ushtarakët tanë do t’ia dalin me sukses të jashtëzakonshëm në misionin e tyre të parë paqeruajtës duke na bërë krenarë jo vetëm ne por edhe miqtë tanë amerikan. Ata janë nderi i Republikës së Kosovës. Siç kanë bërë vendet tuaja miq të dashur duke na ndihmuar në etapën para, gjatë dhe pas pavarësisë kemi nevojë që në këtë proces të na jepni edhe një shtytje që vendi ynë dhe shtetësia jonë të konsolidohet tërësisht e Kosova të bëhet pjesë e familjes euroatlantike si dhe anëtare e Kombeve të Bashkuara. Republika jonë dhe qytetarët tanë besojnë thellësisht në vlerat perëndimore sepse i ndajnë ato vlera e parime fundamentale të funksionimit dhe të veprimit. Besoj fuqishëm që secili nga ju e kuptoni se përpjekjet dhe angazhimi ynë në proceset integruese janë synim i kahershëm, janë rruga jonë e vetme, janë vullnet i qytetarëve tanë”, tha ajo.

Në këtë përvjetor të 13 të pavarësisë së Kosovës, Osmani ka falënderuar edhe të gjitha gratë për rolin e tyre në shtetndërtim, ku tha se gratë janë forca shtytëse e të gjitha proceseve në vend.

Osmani përmendi edhe suksesin e regjisores Blerta Basholli e cila ka fituar tri çmime në festivalin “Sundance”, ku tha se me të tilla gra krenohet pasi që ato po e bëjnë çdo ditë Kosovën çfarë e duan, një vend me imazh pozitiv, një vend me dinjitet e të cilin duhet ta forcojnë gjithnjë e më shumë.

Krejt në fund, Osmani tha se kanë shumë punë për të bërë për të siguruar një vend më të mirë për fëmijët e Kosovës. ajo tha se duhet të punojnë shumë që e tashmen e tyre të jetë ashtu siç e meriton çdo fëmijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat