Doli kundër Albin Kurtit, nga Vetëvendosje i reagojnë ashpër Pandeli Majkos - ja çka i përmendin

Aktuale

Doli kundër Albin Kurtit, nga Vetëvendosje i reagojnë ashpër Pandeli Majkos - ja çka i përmendin

Nga: A.Zh Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 18:09
Albin Kurti dhe Pandeli Majko

Ministri shqiptar për Diasporën Pandeli Majko, ka dalë kundër idesë së Albin Kurtit për bashkimin kombëtar Kosovë-Shqipëri.

Majko ka thënë se kjo ide është e shekullit të kaluar dhe tani, sipas tij, prioritet për Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj duhet të jetë drejtimi i Kosovës.
“Unë mendoj se z. Kurti ka vetëm një prioritet, të drejtojë si shtetar dhe kryeministër shtetin e Kosovës, nuk besoj se i bëjnë punë histori të natyrave të tilla. Nuk ka pse krijon lidhje të natyrave të çuditshme me ide që kanë ekzistuar në shekullin e kaluar, e kam fjalën në vitet ’80 dhe ’90 për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, jo se unë nga pikëpamja emocionale ndihem ndryshe nga z. Kurti, por unë mendoj se diskutime të natyrave të tilla, do të krijonin probleme me aktet ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin e Kosovës. E kam fjalën për akte që garantojnë prezencën e NATO-s në Kosovë dhe paketën Ahtisari”, tha ish-kryeministri i Shqipërisë.

Atij për këtë deklaratë i ka reaguar zyrtari i VV-së Arbër Zaimit, përcjell Bota sot. Zaimi ka thënë se “ide e gjallë” për PS-në ka mbetur vetëm Mini-shengeni. Ai ka akuzuar PS-në se mbështeti planet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për copëtimin e Kosovës.

“Këta të PS-së bashkimin kombëtar e shohin si ide të vdekur në shekullin e shkuar. Në shekullin e sotëm sipas tyre, vetëm minishengeni (jugosllavia e re) ka mbetur si ide e gjallë. Kush e thotë këtë? Këta që mbështetën planin e Vuçiqit për copëtimin e Kosovës, duke i thënë popullit se nga ndryshimi i kufijve do të rridhte bashkimi kombëtar...”, ka shkruar Zaimi në një postim në Facebook./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat