Rrëfimi i komisionerit, ja si ‘masakroheshin’ votat e kandidatëve

Aktuale

Rrëfimi i komisionerit, ja si ‘masakroheshin’ votat e kandidatëve

Më: 8 mars 2021 Në ora: 15:11
Foto ilustrim

Nuk është lajm i ri vjedhja e votave e as pazaret për t’i blerë ato. Por skandali brenda Qendrës së Numërimit të Votave, që përmbylli javën që lamë pas, po bënë që as këto zgjedhje të mos mbeten të pastërta.

Një video e publikuar nga mediat shpalos mënyrën e keqpërdorimit të votës së qytetarëve nga komisionerët që janë aty për të mbrojtur votën e dhënë.

Në këtë audio dhe video inçizim tregohet se si numëruesi i votave jep çmimin për ndryshimin e votave brenda kandidatëve të listës së një subjekti politik. I dyshuari po ashtu tregon se sa para kishte marrë ai dhe dy persona të tjerë brenda QNR-së për të ndryshuar votat e një kandidateje për deputete të Kuvendit të Kosovës, që ajo të bëhej pjesë e legjislaturës së VIII.

E k në tërë këtë skandal përfshihet emri i kryediplomates kosovare nga radhët e AAK-së, Meliza Haradinaj, bashkëshorti i së cilës, Dardan Stublla, u kishte dhënë para tre komisionerëve për t’i bërë asaj vota të mjaftueshme për të hyrë në Kuvend.

Se votat iu vjedhën brenda partisë, ankesa kanë edhe bashkëpartiaket e Haradinajt, Florentina Gjergji e Albana Bytyçi.

Ndaj këtyre akuzave ka reaguar e apostrofuara Meliza Haradinaj, duke i konsideruar shpifje dhe duke paralajmëruar padi ndaj bashkëpartiakeve të saj.

E po njësoj po ankohen edhe nga partitë tjera. Më i zëshmi po është Jetlir Zymberaj nga AKR që garoi në këto zgjedhje brenda listës së LDK-së.

Ai po pretendon se ka fakte të mjaftueshme që dëshmojnë se votat e tij u vodhën nga komisionerët, siç i ka quajtur ai, të kriminalizuar.  Mirëpo duket se as këto nuk i kanë mjaftuar PZAP, i cili ka hedhur poshtë ankesën e Zyberajt. E ai ka thënë se shpresa e vetme tani është prokuroria.

“PZAP-it nuk i bën përshtypje fare deklarata e personit(personave) që vota nuk u figuron në formular. Ky është skandal. PZAP po legjitimon vjedhjen e votës. Këtu, tash shpresa ngelet vetëm tek prokuroria” – shprehet Zymberaj.

Në kushte anonimiteti,një komisioner në QNR, që detyrë kishte t’i procedonte të dhënat në sistem e nga aty dihej se cili kandidat merrte sa vota, ka dhënë detaje interesante për Syri Kosovën.

Ai rrëfen se ka parë me sytë e tij se si komisionerët bënin keqpërdorime me vota. Për me tepër, tregon se më së shumti ka pasur nga subjektet që kanë humbur zgjedhjet. Sipas tij, me aq se ka arritur të shohë, këto kanë vepruar në grupe dhe ky fenomen vështirë që mund të vërehej, pasi fletëvotimet i lexonte njëri e tre të tjerët i shkruanin, edhe pse rrëfen se, këtë herë, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, ka pasur raste që vëzhguesit e tjerë vetëm shihnin telefonin. Tutje shton se në tavolinën ku punoi nuk kishte manipulime me votë pasi komisionerët e LVV-së ishin të vendosur që të mos ndodh një gjë e tillë. 

Burimi vazhdon rrëfimin duke treguar për mënyrën se si rritet numri i votave dhe hapësira që u jepet për të manipuluar me vota.

“Po fillimisht kur vijnë tek ne kutitë e votimit janë veç se të numëruara, njëherë në vendvotimin fillestar dhe në Komisionin Komunal Zgjedhor. Në QNR kemi vetëm rinumërim të votave, pasi KKZ ka parë që disa vendvotime ka pasur parregullsi dhe mospërputhje të votave. Është formulari i përputhjeve të rezultatit që shënohen votat dhe ato dorëzohen në KKZ. Fletëvotimet fillimisht numërohen nga komisionerët e partive politike, ku secili i numëron deputetët e tyre dhe të gjitha shënohen në fund në FPR. Nga aty dorëzohen në KKZ e që nëse nuk ka parregullsi atëherë dorëzohen si të rregullta, mirëpo nëse ka manipulime, atëherë sillen tek ne. Në një tavolinë janë 5 veta që duhet të jenë apolitikë së paku zyrtarisht, mirëpo ne e dimë që ata persona janë të partive të ndryshme. Në këtë pikë askush nuk mund të vjedh vota e të mos e shohë njëri, por veprohet në grup, pasi distanca është tejet e vogël. Keqpërdorimi bëhet kur numërohet vota fikse dhe i largohet një deputeti që ka më shumë vota dhe i shtohet tjetrit që në fund të jetë i njëjtë me FPR të parë në shkollë” – përfundon burimi.

Se prokuroria do të ketë goxha punë me gjithë këto pretendime që po bëjnë kandidatët për deputetë, e thotë edhe njohësi i rrethanave politike dhe juridike, Ehat Miftaraj. Ai, gjatë një deklarimi shprehet se Kodi Penal e përcakton mirë se si duhet të veprohet në këto raste kur kemi keqpërdorime te votave.

“Kodi Penal i Kosovës ka para një kapitull të veçantë që ndërlidhet me keqpërdorimin e votës, qoftë para ditës së votimit, gjatë ditës sëvotimit apo dhe pas kësaj dite. Dhe tani që kanë dalë dyshime të bazuara se ka pasur keqpërdorim në qendrat e numërimit, Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me KQZ-në duhet të bëjnë një hetim të pavarur, të paanshëm, të shpejtë dhe të drejtë. Më pas do t’i lihet hapësirë që manipulatorët të dalin para drejtësisë, nëse verifikohen tëgjitha pretendimet e dalura në publik. Në bazë të ligjit për zgjedhje, por edhe tëKushtetutës së Kosovës, nuk është në mandatin e komisionerëve që të devijojnë vullnetin e qytetarëve që të bëjnë manipulime me vota për kandidatë të caktuar”.

Ai shton se duhet ndalur këtë dukuri duke u instaluar kamera në QNR e më pas askush nuk do të kishte guximin të ndryshonte votat.

“Çështja e numërimit të votave dhe vjedhjes në QNR nuk është një histori e re, është diçka që e përcjell Kosovën në vazhdimësi. Fatkeqësisht ligji ka disa hapësira që po ju lejohet këtyre personave të abuzojnë me vota. Do të duhet të ketë instalim të kamerave në çdo tavolinë numërimi, ku askush nuk do të kishte mundësi të ndryshonte votën” – përfundon Miftaraj.

Hetim për këto raste po kërkohet edhe nga Demokracia në Veprim. Ata po i bëjnë thirrje Prokurorit të Shtetit që me urgjencë të fillojnë hetimet dhe të marrin masat adekuate që të mos lejohet deformimi i vullnetit të votuesve nga dyshimet për falsifikim të votave brenda QNR-së.

“Prokuroria duhet që, në bashkëpunim me Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Sekretariatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të veprojë në drejtim të gjetjes dhe arrestimit të personave që dyshohen se kanë falsifikuar rezultatin e votimeve”.

DnV u bën thirrje të gjithë kandidatëve për deputetë, të cilët mund të kenë dyshime për vjedhje të votave apo falsifikim të rezultatit, pos ankesave në PZAP, të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit në drejtim të zbulimit të veprave që devijojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

E institucioni përgjegjës për zgjedhjet, KQZ,i ka ofruar bashkëpunim Prokurorisë së Shtetit lidhur me dyshimet për manipulim të votave në rastin e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se, në lidhje me këtë rast, kanë komunikuar me Prokurorinë, duke ia ofruar të gjitha detajet e nevojshme.

“Menjëherë pas transmetimit në media të lajmit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me Prokurorinë e Shtetit për t’i ofruar të gjitha informacionet dhe materialet e nevojshme për hetimin dhe zbardhjen e plotë të rastit”, ka thënë Elezi.

Sot PZAP u ka kthyer vendim të gjithë të ankimuarve në lidhje me dyshimet e tyre për parregullsi. Shumica e ankesave janë refuzuar si të pabazuara apo edhe janë hedhur poshtë për paafatshmëri.

Për shkak të një ankese që kishte bërë kandidatja për deputete, Albena Reshitaj, ankesa e sëcilës u pranua nga ky institucion, doli edhe një mas ndaj gjashtë personave që ishin përgjegjës në vendvotimin në 2404A/01 në Prishtinë dhe manipuluan me votat e Reshitajt.

Masat që ndërmori PZAP-ja përfshihet kryesuesi i vendvotimit, Ermal Zenelaj dhe anëtarët e tjerë, Jehona Zenelaj, Jeton Kokallari, Ernad Gashi, Floriana Zenelaj, Glodiana Zenelaj, të iu ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje në kohëzgjatje prej 5 vjet, si kandidat dhe si pjesë administrative e ndonjë organi zgjedhor të menaxhuar nga KQZ.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat