“E vërteta e pritshme nga Albin Kurti”

Aktuale

“E vërteta e pritshme nga Albin Kurti”

Nga: N.Sh Më: 9 mars 2021 Në ora: 21:20
Albin Kurti

Kosova ka kohë që ndodhet në kaos. Menaxhimi i sferave jetike për ekonominë e vendit, arsimin, drejtësinë e rendin, e në veçanti shëndetësinë, sidomos tani kur gjykohet se po hyjmë në ciklin e tretë të pandemisë, ka marrë përmasa alarmante për të keq.

Kështu po vlerëson dr. Sadri Ramabaja, i cili shton se, gjërat ka kohë që është dashur të quheshin me emrin e vet.

“Në sheshet e Prishtinës në një nga demonstratat më të fuqishme ku isha pjesëmarrës në shoqërinë e një studentit tim dhe tek pushoi paksa brohoritja e parullës kuptimplote nga mijëra demonstruesve “Me hajna, me hajna, nuk ka shtet”, ai m’u kthye me pyetjen disi të ndrojtur: Profesor, a nuk të duket paksa e vrazhdë kjo parullë?! Në shikim të parë, po, ke të drejtë, është jo paksa, por tepër e vrazhdë. Por, mos harro, ajo përcjell mesazhin më real që duhet t’i dërgohet në vesh secilit qytetar, që ai pastaj ta përpunoj me ndërgjegjen e tij sa herë që të përballet me Shtetin. E vërteta, kur thuhet troç, prandaj është e vrazhdë”, thotë Ramabaja.

Ai shton se, këto ditë, tek po kryente policia aksionin e koduar me emrin “Subvencionet”, me ish studentin e tij, A. B. po pinin kafe në një nga verandat e lokaleve në periferi të qytetit.

“Duket se bujqit tanë na qenkan ndeshur së tepërmi e gjatë kohë me hajnat që i kanë vjedhur në emër të Shtetit! Kështu komentoi ngjarjen ish studenti im i diplomuar në lëmin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomaci, tani mësues i anglishtes në një nga shkollat private në kryeqytet. Por politikanët kapës të Shtetit e gënjeshtarë ordiner, duket se do të na rezultojnë shumë më të dëmshëm për Republikën se çfarëdo lukunie hajnash të rëndomtë, mbi të cilët po bie e do të bie edhe ë ndjeshëm “fshesa” e Prokurorisë së somnabulosur me vite. Shumë politikanë të establishmentit që përmbysi referendumi i 14 shkurtit i kemi njohur si gënjeshtarë tipik, por që gënjeshtrat i kanë aplikuar vetëm kur janë përballur me të vërtetat e papërshtatshme për ta”, thekson ai.

Ai shton se, rreth këtij fenomeni, profesori i makroekonomisë dhe ish ministër i Greqisë (2015) Yanis Varoufakis, shprehet: “Shkencëtarët kanë arsye të forta për ta festuar largimin e Trump-it, duke gjykuar nga lehtësimi i tyre i dukshëm, se tashmë mund t’i prezantojnë të dhënat epidemiologjike nga podiumi i Shtëpisë së Bardhë, pa pasur frikë nga ndëshkimi. Por, për të përcaktuar nëse mund të presim një ringjallje të plotë së vërtetës nën presidentin e ri Xho Bajden, duhet të kujtojmë se si shoqëritë tona e dallojnë të vërtetën.” (“Project Syndicate”: 2021)

“Të ashtuquajturit të djathtë të sapokonvertuar nga titistë e psudoenveristë që ishin dje, e mbi të gjitha neoliberalët tanë të ndërlidhur me njëmijë e një fije me olhokratët dhe oligokratët, vazhdojnë ta duan tutje analogjinë e tregut. Por ata sikur harrojnë se, në një shoqëri ku dominon konsumi mbi prodhimin dhe demagogjia e improvizimi mbi shkencën, e vërteta përmbytet nga gënjeshtra. Gjatë fushatës, po edhe në ditët në vijim, ne ishim e jemi dëshmitarë se si e tërë lukunia e të ashtuquajturve gazetarë e analistë, në bllok, pati një sulm të përqendruar për ta mbuluar tutje të vërtetën me malin e gënjeshtrave që lansonin TV-të publiku e private, kur bëhej e bëhet fjalë mbi raportin e shtetit me qytetarin, gënjeshtrën dhe të vërtetën. Mjeshtri i tregut është kryegënjeshtari. Ai mund të jetë edhe “akademik” a aksionar në universitet privat a fabrikë për prodhimin e banave… Në këtë kuadër, ku përballja mes protestuesve të djeshëm, që në sheshe brohorisnin parullën “Me hajna, me hajna, nuk ka shtet”, me makinerinë vizive të olhokratëve e oligokratëve të bërë tok, përderisa ata, pra qytetarët, ndërkohë komunikojnë në rrjetet sociale dhe sfidojnë këtë mal-gënjeshtrash përmes pjesëmarrjes në sondazhe, duket se shoqërinë tonë po e shpjerë drejt një rendi të ri, respektivisht drejt mundësisë së re për njohje të së vërtetës. Në këtë përballje, fuqia dhe mjeshtëria e altoparlantëve të pushtetit në ikje, që po bën shumëfishimin enormë të gënjeshtrës dhe mashtrimit në studiot televizive që emetojnë lajme e debat deri në orët e vona të natës, megjithatë ka filluar të shkërmoqet keq”, thekson ai.

Ramabaja pohon se Isa Mustafa dhe ata që manipuluan me emrin e UÇK-së janë të rrezikshëm.

“Isa Mustafa & Co me atë grusht individësh që manipuluan së tepërmi e gjatë me emrin e UÇK-së, ishin dhe janë më të rrezikshëm se sa hajnat e gënjeshtarët e rëndomtë, pasi ata gjetën mënyra për ta manipuluar vullnetin politik të qytetarëve për më se tri dekada, madje edhe vet dijen e etabluar mbi ekonominë dhe shkencën. Jo rrallë ata, këtë e bën edhe duke u kamufluar si dashamirë të iluminizmit dhe ekonomisë së tregut e kuazibarazisë në garën për dije! Nuk ishte e rastit hapja gjithandej e të ashtuquajturve universitete publike e private, që sot, në ditën e mësuesit, nuk ka se si të mos i shënjojmë me gisht si dëmtuesit më të rëndë të arsimit tonë. Prapa këtij mashtrimi dhe loje që bëhej e vazhdon të bëhet me arsimin tonë, gjithsesi fshiheshin interesa sociale e ekonomike. Blerja e qetësisë sociale për vite të tëra dhe shndërrimi i universiteteve në fabrika për punësim të militantëve dhe banka biznesi për pastrim parash, ishte qëllimi real i atij grushti olhokratësh që tashmë nuk e kanë krejt të qartë se ku do ta kalojnë pjesën e mbetur të jetës: në ekzil apo në burg. Por, si olhokratët ashtu edhe oligokratët, e tok me ta edhe mjeshtrit e propagandës, mund të mbijetojnë në këtë ambient tonin vetëm për aq kohë sa populli i toleron, për aq kohë sa nuk përballen me të vërtetën shkencore. Ata gëluan e u bën të tillë vetëm brenda kufijve të paradigmës së tyre të veçantë”, vlerëson ai.

Ramabaja pohon se, epoka kur kjo shtresë mund të fshihej pas dogmave tashmë ka marrë fund. 14 shkurti duket se ishte ai limiti përtej të cilit nuk mund të toleroheshin më që ta trajtonin Republikën si kopshtin e tyre privat.

“Fatmirësisht, së shpejti, kupola e krimit do të detyrohet të s’postohet nga institucionet qendrore të Republikës. Sidoqoftë, ne nuk kemi e nuk do të duhej të kishim iluzione se, me kaq merr fund beteja kundër krimit. Administrata dhe gjithë ai mal i aparatit të saj propagandistik që ishte vënë në shërbim të krimit, mbetet aty, brenda institucioneve, por edhe gjetkë, në studiot e TV-ve të zhurmshme, në të ashtuquajturat universitete fabrika… Pozicionimi i Shtetit në binarët e normalitetit që do të garantonin funksionalizimin e Republikës, shih për këtë, kërkon legjislacion e përkushtim politik të përqendruar tok me qytetarinë aktive në rritje, por edhe të vërtetën e pritshme nga Albin Kurti”, përfundon dr. Sadri Ramabaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat