U masakruan më shumë se 200 persona, vetëm një serb i dënuar deri tash

Aktuale

U masakruan më shumë se 200 persona, vetëm një serb i dënuar deri tash

Më: 26 mars 2021 Në ora: 20:26
Pamje nga vendi i ngjarjes

Pas dy dekadash, vetëm serbi Darko Tasiq është i dënuar për masakrën në Krushë.

Pritja 22-vjeçare për eshtrat e burrit e djemve, veç ja ka shtuar mallin.

E dhimbja për më të dashurit e saj është e papërshkrueshme.

Ky përvjetor i masakrës në Krushë të Vogël, e gjen Vezire Batushën pa 22 familjarë.

Kjo nuk do ta harrojë kurrë momentin kur e ndanë nga të dashurit e saj.

E aq më pak, emrin dhe fytyrat e vrasësve.

Të tillë si Vezirja, ka me shumë në këtë fshat.

Dhe në këtë ditë përkujtimesh, kanë nevojë ta qesin dhimbjen jashtë.

Si shumica e atyre që humbën të afërmit, lotët në sy nuk mundet t’i mbajë as Shqipe Çoçaj.

Prej shumë familjarëve që tashmë nuk jetojnë, vetëm eshtrat e vëllait 21-vjeç i pushojnë në varreza.

Për të gjitha këto krime në Krushë, i dënuar është vetëm një serb.

Madje Darko Tasiqit ja përgjysmuan dënimin në Gjykatën e Apelit për shkak të mungesës së provave.

Drejtësia për ta duket se nuk është afër.

Pos fshatit Krushë e Vogël, edhe këtu në kompleksin memorial në Krushë të Madhe, pushojnë trupat e 146 personave. Ndërsa numri i te pagjeturve mbetet 63.

Emrat e secilit nga ta janë të shkruar në pllakën përkujtimore.

Ndërsa as fotografitë e tyre, nuk mungojnë.

Ndonëse varre ka edhe jashtë kompleksit memorial, këtu është bërë një vend edhe për ata që nuk dihet se ku i kanë eshtrat.

Në fshatin që është sinonim i dhimbjes qëndroi gjatë ditës edhe kryeministri Kurti i cili premtoi angazhim institucional për t’i vënë para drejtësisë ata që kryen këto krime.

Ndërkohë, për të bërë homazhe këtu erdhën edhe shumë liderë politik e shtetërorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat