Jusuf Buxhovi: Kosova përjetoi “tërmet politik”, ja çka po e provokon LDK-në qëllimisht Albin Kurti

Aktuale

Jusuf Buxhovi: Kosova përjetoi “tërmet politik”, ja çka po e provokon LDK-në qëllimisht Albin Kurti

Nga: P.R Më: 26 mars 2021 Në ora: 22:16
Jusuf Buxhovi

Historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, përmes një postimi në facebook ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë.

Sipas tij, zgjedhjet e 14 shkurtit shkaktuan ‘tërmet’ politik në Kosovë.

“Shteti i Kosovës, në përvjetorin e trembëdhjetë, përjetoi një “termet politik”, ndonëse të pritshëm, që pritet t’u hapë rrugë ndryshimeve pozitive në jetën shoqërore dhe politike të vendit, po qe se ato shihen si një kauzë afatgjate dhe assesi si një mundësi që një garniturë politike të zëvendësohet me një tjetër, siç ndodh kur populizmi shfrytëzohet për ardhjen në pushtet”, shkruan Buxhovi.

Sipas tij, Albin Kurti qëllimisht nuk po kërkon zgjidhje tek partitë tjera për çështjen e presidentit.

“Te kjo çështje, gjithsesi shfaqet edhe qëndrimi ndaj zgjedhjes së presidentes si dhe rolit thuajse vendimtar të LDK-së në këtë proces edhe për kundër faktit se zonja Osmani, gjatë zgjedhjeve të fundit, thuajse gjysmën e elektoratit të LDK-së, ia dërgoi VV-së, me premtimin se do të bëhet presidente, por që e gjitha prapë mbeti në duar të LDK-së. Kjo gjendje absurde ngre edhe dyshimin se Kurti si fitues i zgjedhjeve nuk po kërkon nga gjithë spektri politik zgjidhje, por këtë ia ka përplasur qëllimisht LDK-së, si gur mulliri mbase që të provokojë zgjedhjet e reja?”, shkruan ndër tjerash Buxhovi, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

NDRYSHIMET DUHET PARË SI KAUZË AFATGJATE. KLASA POLITIKE DUHET TË SILLET ME PËRGJEGJËSI NDAJ TYRE

-Zgjedhjet e fundit kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në skenën politike të Kosovës. Vullneti i qytetarëve, me shumicë absolute, ka sjellë në pushtet një parti të spektrit të majtë, së cilës i duhet edhe baraspesha nga një parti e djathtë, siç është LDK-ja, e cila duhet të tregohet e përgjegjshme në procesin e ndërtimit të institucioneve shtetërore.

Shteti i Kosovës, në përvjetorin e trembëdhjetë, përjetoi një “termet politik”, ndonëse të pritshëm, që pritet t’u hapë rrugë ndryshimeve pozitive në jetën shoqërore dhe politike të vendit, po qe se ato shihen si një kauzë afatgjate dhe assesi si një mundësi që një garniturë politike të zëvendësohet me një tjetër, siç ndodh kur populizmi shfrytëzohet për ardhjen në pushtet.

Bazuar në fushatën zgjedhore si dhe diskursin mbi të cilin u ndërtua platroma e ndryshimit (lufta kundër korrupsionit nëpërmes çkapjes së shtetit nga strukturat e ndryshme kriminale të etabluara thuajse në të gjitha pjesët e segmenteve kryesore të pushtetit), fitorja absolute e një partie, sikur krijon parakushte që ndryshimi të vihet në binarët e tij, por jo domosdoshmërisht ngaqë njëherësh shton edhe rrezikun e qeverisjes autoritare deri te modeli i shtetit-parti. Që të mos ndodh një deformim i tillë, kjo hap çështjen e baraspeshës në skenën politike midis polit të majtë dhe atij të djathtë, të domosdoshëm si mekanizma të cilat sigurojnë stabilitet ekonomik dhe politik po edhe gjeostrategjik njëherësh.

Andaj, fitores së Vetëvendosjes, që tashmë ka etabluar të majtën, pashmangshëm i duhet edhe e djathta. Këtë mund t’ia sigurojë vetëm LDK-ja, si parti e qendrës së djathtë me një traditë shtetndërtuese.

Natyrisht se misioni i LDK-së, si parti historike, për t’ia siguruar ekuilibrat e domosdoshëm skenës politike, nënkupton përgjegjësi, e mbi të gjitha, përkushtim institucional, që është tepër sfidues në rrethanat kur kjo parti për arsye të njohura, duke u ndëshkuar nga elektorati, pësoi një humbje të thellë gjatë zgjedhjeve të fundit. Ndonëse kjo e solli para reflektimit për gjendjen e krijuar, që si po shihet, nuk po është në gjendje t’i japë përgjigjen e duhur nga shkaku se ata që kanë sjellë partinë në këtë derexhe, nuk janë të gatshëm lëshojnë rrugë ashtu si duhet dhe madje edhe të pengojnë që partia t’u nënshtrohet rrethanave të reja që solli ndryshimi, si vullnet qytetar.

Te kjo çështje, gjithsesi shfaqet edhe qëndrimi ndaj zgjedhjes së presidentes si dhe rolit thuajse vendimtar të LDK-së në këtë proces edhe për kundër faktit se zonja Osmani, gjatë zgjedhjeve të fundit, thuajse gjysmën e elektoratit të LDK-së, ia dërgoi VV-së, me premtimin se do të bëhet presidente, por që e gjitha prapë mbeti në duar të LDK-së. Kjo gjendje absurde ngre edhe dyshimin se Kurti si fitues i zgjedhjeve nuk po kërkon nga gjithë spektri politik zgjidhje, por këtë ia ka përplasur qëllimisht LDK-së, si gur mulliri mbase që të provokojë zgjedhjet e reja?

Në këto rrethana, kur thuajse ka mbetë e vetmuar dhe gjithë presin që ajo të kthehet në një pre të tyre, votimi ose mosvotimi, për LDK-në shfaqet si një rast, që ta rimarrë veten, ose që të vazhdojë rrokullisjen fatale, siç po e dëshirojnë spektatorët e skenës politike?

Hesapi i parë ka të bëjë me atë se formomini i kuorumit për zgjedhjen e zonjës Osmani presidente, që edhe mund të mos mjaftojë nga vota kundër e ndonjë grupi të brendshëm në VV që nuk mbikëqyret nga Kurti, LDK-në e liron nga “fajësia” e shkaktarit të zgjedhjeve të reja, që mund të jenë edhe më fatale për të nën këtë hipotekë, siç i krijon mundësi reale që, duke e parë zonjën Osmani dhe rolin e saj si kapitull të mbyllur, zgjedhjet lokale t’i presë më të relaksuara, ndërkohë që të ketë edhe hapësirë për reformat e brendshme aq të domosdoshme që do të mund të merrnin kah pas dy vitesh, me rastin e zgjedhjeve të përgjithshme të partisë.

Në të kundërtën, inatet personale, për qërim hesapesh, veçmas të atyre që janë fajtorët kryesor për këtë gjendje, do t’i sjellin dëme LDK-së, që të margjinalizohet, siç do t’i sjellin dëme të mëdha dhe të pariparueshme edhe skenës politike të vendit, ngaqë do t’i mungojë partia e qendrës së djathtë, që ruan baraspeshën e parlamentarizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat