Çollaku rrëfen se si u ndje dhe çka bëri Thaçi në momentet e fundit para nisjes për Hagë

Aktuale

Çollaku rrëfen se si u ndje dhe çka bëri Thaçi në momentet e fundit para nisjes për Hagë

Më: 1 prill 2021 Në ora: 23:14
Hashim Thaçi dhe Bekim Çollaku

Bekim Çollaku, ish-shefi i stafit të ish-presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se e kanë kuptuar një ditë më herët se ishte konfirmuar akuza nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ai, në Rubikon tregoi se ish-presidenti ishte i përgatitur për gjithë këtë proces qysh prej kohës kur ishte publikuar propozim-aktakuza ndaj tij dhe më pas edhe ishte intervistuar.

“Jemi informuar saktësisht jo më shumë se 24 orë përpara se të ndodhte vetë dorëheqja dhe shkuarja në Hagë. Ne po prisnim pas asaj që ndodhi në muajin qershor. Nuk e di sa orë më përpara ka ndodhur arrestimi dhe bastisja në shtëpinë e Jakup Krasniqit. Nga ai moment edhe Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e prisnin një gjë të tillë”.

“Që nga intervistimi i Hashim Thaçit kam qenë vazhdimisht në kontakt me zyrtarët nga Gjykata Speciale dhe një gjë e tillë ka ndodhur edhe në ditën e fundit para shkuarjes në Hagë. Gjithçka sa i përket aspekteve teknike e kam koordinuar personalisht dhe jam munduar që me qetësi dhe maturi ta përfundojmë gjithë këtë proces tepër të vështirë”.

Çollaku ka thënë se Thaçi në asnjë moment nuk është ligështuar dhe gjithë procesin – nga publikimi i propozim-aktakuzës ndaj tij deri te udhëtimi drejt Hagës – e ka kaluar me pjekuri dhe maturi.

“Që nga intervistimi në muajin qershor presidenti ka qenë i përgatitur për gjithë këtë process dhe sado i vështirë dhe natyrshëm që duket e pamundur menaxhimi i një procesi të tillë ne e kemi pasë të lehtë se presidenti ka pasë maturi dhe pjekuri absolute dhe nuk e ka pasë asnjë moment të vetëm plogështie deri në momentin e fundit kur jemi përshëndetur unë dhe avokati i tij vendor Dastid Pallaska. Fjalimi i tij i fundit ishte një fjalim i burrështetasit, edhepse unë do të doja që një fjalim të tillë mos ta bënte kurrë”.

Ish-bashkëpunëtori më i afërt i Thaçit ka treguar edhe se kur është shkruar fjalimi përmes të cilit Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i Presidentit të Kosovës.

“Fjalimi ishte i adaptuar nga vetë presidenti dhe unë në momentet e fundit. Në ditën e fundit gjërat po rridhnin shumë shpejt dhe ato pak orë që kishte në dispozicion për t’i bërë gjërat e fundit në cilësinë e tij si president ishin shumë pak, mirëpo ai i la anash dhe gjeti kohë për t’u përshëndetur me miqtë e tij, njerëzit e afërt dhe zyrtarët që kanë punuar në presidencë. Momenti më i vështirë që e kam përjetuar edhe unë ka qenë përshëndetja me zyrtarët që punon në presidencë që ishin të nivelit shumë më të ulët sesa që ishim ne këshilltarët. Më bëri të ndjehem shumë keq, se aty pastaj ishte shumë emocionale”.

“Ajo që unë besoj fuqishëm është mesazhi i tij i fundit që unë ende e kam në kokë – kjo ishte vetëm një lamtumirë e përkohshme, se jam i sigurt në pafajësinë e Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerëve. Jam i sigurt se procesi gjyqësor, nëse do të jetë i drejtë dhe fer, do të përfundojë në favor të tyre dhe të Kosovës”.

Bekim Çollaku mban kontakte të vazhdueshme me ish-shefin e tij dhe të tjerët që po mbahen në Dhomat e Paraburgimit në Hagë duke shtuar se atyre po u mundësohen kontaktet fizike me familjarët dhe miqtë me arsyetimin e pandemisë.

“Jam në kontakte tepër të shpeshta që janë vetëm të natyrës telefonike, sepse fatkeqësisht Qendra Parandaluese në Hagë ende i bën të pamundura takimet fizike – qoftë të familjarëve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve apo miqve të tyre. Këtë gjë e arsyetojnë me çështjen e pandemisë, por mendoj se është diçka më tepër. Prokuroria po mendon që t’i thyejë këta burrështetas duke i privuar që t’i takojnë edhe njerëzit e tyre më të afërt – është një shkelje elementare e të drejtave njerëzore. Që pesë muaj, nga shkuarja e tyre në Hagë, asnjë familjar nuk ka mundur t’i takojë nga afër në formë fizike. Kjo është diskriminim i paparë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat