Seanca për Osmanin, Mjekiqi: LDK-ja e zgjodhi një rrugë që ka qenë dilemë morale

Aktuale

Seanca për Osmanin, Mjekiqi: LDK-ja e zgjodhi një rrugë që ka qenë dilemë morale

Më: 7 prill 2021 Në ora: 22:55
Lumir Abdixhiku dhe Shqipe Mjekiqi

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shqipe Mjekiqi, ka thënë se nuk e kanë ndihmuar Lëvizjen Vetëvendosjen (LVV) me pjesëmarrjen e tyre në procesin e votimit për zgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente, por i kanë ndihmuar institucionet e Kosovës.

Ajo ka theksuar se brenda LDK-së pati qëndrime të ndryshme sa i përket prezencës së deputetëve në seancën e 4 prillit.

“Nuk i ndihmuam Lëvizjes Vetëvendosje me pjesëmarrjen e LDK-së në procesin e votimit të presidentes, i ndihmuam institucionet e vendit. Nëse partia jonë nuk do të merrte pjesë në seancë, vendi do të shkonte në zgjedhje. Ajo çfarë kemi bërë është jashtëzakonisht shumë e mirë për shtetin dhe qytetarët e Kosovës që t’i evitojnë zgjedhjet e parlamentare”.

“LDK-ja e zgjodhi një rrugë që ka qenë një dilemë morale, ne kemi pasë qëndrime të ndryshme brenda partisë, e më pas jemi dalë me një qëndrim që është në të mirë të gjithëmbarshme sa i përket punës së zgjedhjes së presidentes, nuk kemi nevojë për zgjedhje të reja”.

Mjekiqi ka folur edhe për mospjesëmarrjen në votim të deputetëve të LDK-së, Avdullah Hotit, Agim Veliut dhe Driton Selmanajt. Sipas saj ata kanë deklaruar se janë duke i përfaqësuar interesat e elektoratit të vet.

“Deputeti mund të votojë herë pas here sipas bindjes së vet, sepse e konsideron që elektorati i cili e ka votuar, e ka atë qëndrim. Një numër i votuesve të LDK-së, na kanë shkruar duke thënë se janë kundër pjesëmarrjes së LDK-së, në seancën për votimin e presidentes. Arsyetimi i Avdullah Hotit, Agim Veliut dhe Driton Selmanajt, për mosvotimin e Osmanit ka qenë se duke vepruar sipas bindjes së tyre janë duke i përfaqësuar interesat e elektoratit që i ka zgjedh”.

Ajo ka theksuar se Vjosa Osmani kishte deklaruar se do të jetë një figurë unifikuese si presidente për pozitën dhe për opozitën.

“Osmani duhet ta luajë rolin unifikues në pozitën e saj si presidente, ashtu siç ka thënë edhe në takimin me pjesëtarët e LDK-së. Akoma, kemi për ta parë se si do të veprojë ajo dhe çfarë roli do të ketë si presidente. Ne i kemi hyrë një vendimi pa qenë të bindur plotësisht, është një lloj marrëveshje mirëbesimi që Osmani do ta luajë atë rol që i kërkon LDK-ja dhe që i kërkon detyra”, ka thënë Mjekiqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat