Vjosa Osmani tregon detajet e takimit me Sejdiun, Jahjagën dhe Pacollin, ja çka u pajtuan

Aktuale

Vjosa Osmani tregon detajet e takimit me Sejdiun, Jahjagën dhe Pacollin, ja çka u pajtuan

Nga: P.R Më: 13 prill 2021 Në ora: 20:37
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me ish presidentët, Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në facebook ka treguar detajet e takimit me ish presidentët, Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.

“Kultura e mirëfilltë shtetërore ndërtohet vetëm duke e njohur dhe respektuar traditën institucionale dhe duke e shndërruar atë në përvojë të vyer, së cilës mund t’i referohemi dhe nga e cila mund të mësojmë vazhdimisht”, ka shkruar Osmani.

“Për këtë qëllim, sot pata kënaqësinë t’i pres dhe të bashkëbisedoj me ish-presidentët e Kosovës, Prof.dr. Fatmir Sejdiu, znj. Atifete Jahjaga dhe z. Behgjet Pacolli. Përvoja e secilit prej tyre është e rëndësishme për rrugëtimin që do ta ndjekë institucioni ynë, por edhe mundësi për të krijuar një frymë të re në jetën tonë institucionale, atë të këshillimit të vazhdueshëm me ish-presidentët, si njerëz të cilët kanë bartur mbi supe barrën e udhëheqjes së institucionit më të lartë të vendit në periudha të ndryshme”, shkruan ndër tjerash presidentja Osmani.

Më tej, Osmani ka thënë se do të konsultohet me ish presidentët për çështjen që janë në interes të vendit.

“Bashkërisht u pajtuam që vazhdimisht të konsultohemi për çështje në interes të vendit. Mendimi i tyre i vlefshëm do të respektohet, ndërsa ne do t’i inkurajojmë ata që në cilësinë e ish-presidentëve ta vazhdojnë përkushtimin ndaj Kosovës, duke e shpërndarë imazhin e vendit të tyre gjithandej botës, nëpër forume të ndryshme politike e përfaqësuese”, ka shkruar në faqen e saj në facebook, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat