​Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon lirimin me kusht, thotë se të akuzuarve po u shkelen të drejtat

Aktuale

​Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon lirimin me kusht, thotë se të akuzuarve po u shkelen të drejtat

Më: 19 maj 2021 Në ora: 15:36
Foto ilustrim

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes Thaçi dhe të tjerët sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, mbrojtja ka kërkuar lirimin nga paraburgimi për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimi.

Avokatët kanë adresuar kritika ndaj Prokurorisë duke thënë se po vonohet me nxjerrjen e materialeve hetimore dhe se po dorëzon dokumentet jo të plota.

Në anën tjetër prokuroria ka deklaruar që parashohin vazhdim të hetimeve, por sipas tyre një gjë e tillë nuk e pengon që procesi i gjykimit të fillojë në vjeshtën e këtij viti, çka pastaj është kundërshtuar nga avokatët.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të tregojë afatin e përfundimit të hetimeve dhe kohën kur do të dorëzojë dosjen paragjyqësore.

Lawson: Hetimet tona do të vazhdojnë për një të ardhme të parashikueshme

“Parashtrimi ynë lidhur me hetimet është i pandryshuar siç e kemi vënë në dukje në parashtrimin me shkrim. Hetimet në përmbushjen e mandatit tonë parashikohen të vazhdojnë për një të ardhme të parashikueshme, por kjo nuk do të ndikojë në afatin e gjykimit. Ne jemi të vetëdijshëm se do të na kërkohet autorizim gjyqësor dhe kur të dalin materiale shfajësuese ato do t’i nënshtrohen nxjerrjes, lidhur me rregullën 95/4, materialit të kësaj rregulle, këto janë në listat e dëshmitarëve dhe provave. Ne jemi në gjendje që këto materiale t’i paraqesim në mesin e tetorit 20-21”, ka thënë prokurorja Claire Lawson.

Ajo ka shtuar se do të dorëzojnë dosjen paraprake në kohën e propozuar me parashtrimet me shkrim.

Lawson: Jemi në fazën kritike të procesit

“Ka një ndryshim nga parashikimi që kishim bërë përpara në shtator. Siç thamë në parashtrimet e mëparshme, në konferencën e fundit, dhe në parashtrimet me shkrim, në shtator ishte data më e hershme e parashikuar për të dhënë materialin, që atëherë na është bërë e qartë se të gjitha burimet tona do të punojnë për të përfunduar nxjerrjen e materialeve. Jemi në fazën kritike të këtij procesi dhe duke pasur parasysh problemet logjistike ka dalë një punë që i ka marrë të gjitha burimet tona, andaj ne parashikojmë që të vazhdojmë deri në shtator, 20-21, këto përpjekje, dhe duke pasur parasysh gjithë këta faktor ne kemi paraqitur një datë tjetër. Sa i takon kalendarit, parashtrimi ynë është që do të mbetet siç ka qenë, pra do t’i bëjmë parashtrimet lidhur me kohën e propozuar dhe dorëzimin e dosjes paraprake”, ka thënë ajo.

Lidhur me këtë ka reaguar mbrojtja e ish-presidentit Thaçi, avokati Pierre Richard Prospe, i cili ka thënë se të akuzuarit po privohen nga liria meqë Prokuroria nuk është gati me hetimet e saj.

Prosper: Pse jemi këtu nëse Prokuroria nuk është gati?

“Mendoj që e vetmja mënyrë për të përshkruar reagimin tim është që kam mbetur pa gojë. Prokuroria kërkon të kemi durim dhe se kanë shumë për të bërë, është një punë që ka përfshirë gjithë pjesëtarët e zyrës. Unë e kuptoj dhe duhet të jetë një përpjekje e bërë nga e gjithë zyra, sepse nuk kanë mandate tjetër përveç kësaj, nuk e di se çka tjetër mund të bëjnë këta. Pse jemi këtu nëse ata nuk janë gati, pse jemi këtu nëse hetimet janë akoma në vazhdim? Është një çështje që ka të bëjë me procesin e rregullt që lidhet me të drejtat e njeriut. Të akuzuarit kanë të drejtë të dihet pse akuzohen dhe ne nuk e dimë. Prokuroria vazhdon të thotë se jemi duke bërë hetime, të cilat do të vazhdojnë në një të ardhme të parashikueshme, cila është kjo e ardhshme e parashikueshme, unë mund të flas për shembull për 2030, për këtë afat flasin? Ne duhet ta dimë për çfarë bëhet fjalë këtu, ju e keni parë si ata i ndryshojnë datat. Në këtë pikë po them se po bëhet fjalë për njerëz të privuar nga liria dhe nga e drejta e tyre”, ka thënë Prosper.

Avokati Prosper ka kërkuar lirimin nga paraburgimi për ish-krerët e UCK-së, siç ka thënë ai deri kur Prokuroria të jetë gati.

Prosper: Katër njerëz po privohen nga liria sepse Prokuroria nuk është gati

“Të gjithë klientët tanë rrinë në paraburgim, larg nga familjet dhe nuk e dinë ende të gjithë tërësinë e akuzave të ngritura kundër tyre, pikërisht se Prokuroria nuk është gati, derisa Prokuroria vazhdon hetime në të ardhmen e parashikuar, atëherë duhet t’i kthehemi lirimit të përkohshëm të klientëve tanë për një të ardhme të parashikueshme, dhe kur Prokuroria të jetë gati të mblidhemi dhe ta rifillojmë përsëri çështjen. Më falni, zoti gjykatës por kjo shkelë çdo normë të të drejtave të njeriut që lidhet me proceset e rregullta gjyqësore, konventa evropiane të të drejtave të njeriut, e të tjera, dhe krijon një ide negative për këtë institucion, duke lejuar që të ndodhë kjo gjë do të njollosë edhe më tej këtë institucion për të ardhmen”, ka thënë ai.

Lirimin e Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit deri në fillim të procesit gjyqësor, e ka kërkuar edhe mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Avokati Ben Emmerson ka thënë se nga provat e deritanishme, nuk ka asgjë që tregon se Kadri Veseli ka kryer ndonjë krim.

Emmerson: Provat e deritanishme nuk tregojnë kryerjen e ndonjë krimi nga Veseli

“Vetëm një mbrojtje e çmendur, duke pasur parasysh burimet e kufizuara nga ajo që kemi në dispozicion, mund të fillojë të hetojë krimet që ka ngjarje që mund të mos jenë fare pjesë e juridiksionit të kësaj gjykate. Provat që deri tani i kemi në dispozicion për zotin Veseli nuk tregojnë asnjëra kryerjen e ndonjë krimi nga zoti Veseli. Nëse Prokuroria ka ndonjë gjë që ende po e mban për vete e nuk na e ka dhënë, e cila do të ishte shkelje shumë serioze e procesit të drejtë juridik, ose nëse nuk ka fare gjë për zotin Veseli, ne aktualisht nuk kemi asgjë për zotin Veseli, çfarë hetimi mund të bëjmë ne lidhur me të... Asnjë skuadër, asnjë ekip mbrojtje i përgjegjshëm nuk do të ndërmerrte një hetim të tillë në 44 vende të ndryshme në gjithë Kosovën dhe Shqipërinë, ndërkohë që në dokumentacionin dhe shkresat që kemi deri tani nga prokuroria nuk kemi asnjë indicie për përfshirje ne klientëve tanë në krimet në fjalë”, ka thënë Emmerson.

Ai ka thënë se ende nuk ka asnjë indikacion se ku do të dorëzohet dosja paraprake nga ana e Prokurorisë.

Emmerson: Nuk kemi ndonjë indikacion kur do të dorëzohet dosja paraprake

“Ne ende nuk kemi ndonjë indikacion kur do të dorëzohet dosja paraprake, duhet të ishte dorëzuar, siç tha zoti Prosper me të drejtë, këta njerëz janë në paraburgim në bazë të faktit se procedurat do të përfundonin dhe do të fillonte gjyqi. Fakti i çështjes është që Prokuroria është copë-copë në punën e saj, dhe këta njerëz po mbahen në paraburgim pafundësisht teksa prokuroria po përpiqet të paraqesë çështjen e saj në një farë renditje. Ju kërkoj të siguroni që këta burra të mos mbahen më në paraburgim dhe misionet paraprake të trajtohen sa më shpejt që të jetë e mundur, ndryshe do të shikoni që kjo gjykatë do të mbajë katër burra në paraburgim pa i filluar ende gjyqin”, ka thënë Emmerson.

Ai ka kritikuar Prokurorinë se e njëjta paraprakisht kishte deklaruar se do të jetë e gatshme të fillojë gjyqin e rregullt në shtator ndërsa tani, sipas avokatit Emmerson, nuk është gati të nxjerrë materialet për fillimin e hetimeve në shtator. Sipas tij, nuk mund të fillojë procesi i rregullt gjyqësor deri nga mesi i vitit 2022.

Deklaratat e Prosper dhe Emmerson janë mbështetur edhe nga mbrojtja e Krasniqit dhe Selimit, të cilët kanë kritikuar Prokurorinë se informacionet e dorëzuara të mbrojtja nuk janë të plota.

Avokatët kanë kërkuar që Prokuroria t’u jep numrin e materialeve që i përkasin rregullës 107, numrin e organizatave nga të cilat i marrin materialet dhe numrin e regjistrimi të provave që lidhen me to.

Por, Prokuroria ka deklaruar se mbrojtja nuk ka të drejtë të marrë informacione statistikore lidhur me provat që ka mbledhur Prokuroria.

Në fund të seancës, gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhër që vendimet për mocionet paraprake të nxirren të premten më 16 korrik.

Gjithashtu ka urdhëruar ZPS-në që të dorëzojë parashtrime për nevojën e vazhdimit të paraburgimit të të akuzuarve deri më 28 maj dhe përgjigjja e ekipeve mbrojtëse deri më 7 qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat