Tërheqja e ambasadorëve, PDK: Veprim skandaloz dhe i dëmshëm

Aktuale

Tërheqja e ambasadorëve, PDK: Veprim skandaloz dhe i dëmshëm

Më: 20 maj 2021 Në ora: 15:08
Ariana Musliu-Shoshi

Partia Demokratike e Kosovës(PDK) po e konsideron skandaloz dhe të dëmshëm vendimin e Qeverisë Kurti 2 dhe presidentes Vjosa Osmani për tërheqjen e 13 ambasadorëve nga misionet diplomatike.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi në një konferencë për medie tha se ky veprim është i paprecedent që do të rrezikojë funksionimin e shërbimit të jashtëm të Kosovës.

Musliu-Shoshi: Ky veprim është skandaloz

“Tërheqja e ambasadorëve të Republikës së Kosovës në një kohë të pandemisë dhe në një formë të tillë grupore pa vlerësuar punën e secilit prej tyre paraqet një veprim skandaloz dhe vë në pikëpyetje raportet e shtetit tonë me vendet mike, ku diplomatët tanë janë të akredituar. Ky veprim është i paprecedentë në historinë e Kosovës dhe si të tillë Qeveria Kurti ka marrë veprime që e rrezikojnë funksionimin e shërbimit të jashtëm dhe largojnë Kosovën nga ushtrimi i politikës së jashtme duke lënë ambasadat pa shefa të misioneve”, tha Musliu-Shoshi.

Ajo tha tërheqja e ambasadorëve pa propozuar të tjerë rrezikon vendin, derisa theksoi se Qeveria Kurti po tregon se nuk ka idenë se si pёrfaqёsojë Kosovën në politikën e jashtme

Musliu-Shoshi: Kjo qeveri nuk e ka idenë se si tё pёrfaqёsojё Kosovën në politikën e jashtme

"Tërheqja e ambasadorëve pa një plan, pa një vlerësim tё punës sё tyre, dhe mbi tё gjitha nё mënyrë tё padinjitetshme karshi punës dhe integritetit tё tyre, tregon qё kjo qeveri nuk e ka idenë se si tё pёrfaqёsojё Kosovën në politikën e jashtme, si ta përfaqësojë vendit dhe si tё sillet me shtetet me tё cilat Kosova ka marrëdhënie diplomatike", u shpreh ajo.

Deputetja opozitare tha se tërheqja, mes tjerash edhe e ambasadorit nga Haga që e njeh veprimtarinë e Gjykatës Speciale vështirëson mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen atje.

Musliu-Shoshi: Është skandaloze tërheqja e ambasadorit nga Haga që e njeh veprimtarinë e Speciales

"Ёshtё skandaloze, por pjesë e veprimeve tё javëve tё fundit, qё Kosova tё tërheqë ambasadorin nga Haga, i cili përveç që njeh veprimtarinë e Gjykatës Speciale dhe komunikimin me tё, nё emër tё shtetit tё Kosovës, ka pasur marrëdhënie dhe kontakt personal me tё gjithë çlirimtarët qё po mbahen padrejtësisht nё Hagё, si ish-presidenti Thaçi, ish-kryetari Veseli dhe të tjerë", ka thënë ajo.

Musliu-Shoshi tha se me këtë vendim edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar se është vënë në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat