Haradinaj: Në Vushtrri u tentua të zhbëhej qenia shqiptare

Aktuale

Haradinaj: Në Vushtrri u tentua të zhbëhej qenia shqiptare

Më: 22 maj 2021 Në ora: 09:30
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kujtoi në 22 vjetorin e ngjarjes, masakrën e 22 Majit 1999 në qytetin e Vushtrrisë, duke thënë se atë ditë të kobshme u tentua të zhbëhej qenia shqiptare.

Haradinaj shtoi se shteti serb edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera, ndërsa ne vazhdojmë betejën tonë për të vërtetën.

“Njëzetedy vjet më parë, dhjetëra u vranë e u masakruan e shumë të tjerë shpëtuan me plagë, të cilat i shëroi koha. Por, plagët e shpirtit, kujtimi për ata që na i rrëmbyen, jetojnë përgjithmonë.

E vështirë ishte rruga jonë deri në liri. Shteti serb, edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera, e ne vazhdojmë betejën tonë për të vërtetën. Kosova nuk harron! Lavdi të rënëve për liri!”, shkroi Haradinaj.

Më 22 maj 1999 forcat ushtarake serbe ushtruan gjenocid mbi popullatën shqiptare të Vushtrrisë duke vrarë 68 qytetarë të kësaj komune, burra, gra e fëmijë pa dallim. Trupat e 67 nga 68 të vrarëve në rrugën” 22 Maji” në Vushtrri u gjenden në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit dhe iu kthyen familjeve në Kosovë ndërmjet viteve 2003-2012. Ende asnjë gjykim nuk është zhvilluar për autorët e kësaj masakre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat